Politike

Dita e Dëshmorëve/Mazhoranca mban homazhe për të rënët, nga opozita vetëm Meta

Nga Gazeta 'Si'-Përkujtimi i dëshmorëve të atdheut nuk bëri bashkë politikën, por vendosi krah më krah sërish Edi Ramën me Erion Veliajn. 

Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, vendosën kurora në varrezat e dëshmorëve, në memorialin “Nënë Shqipëri”.

Në ceremoni morën pjesë edhe veteranë, e të afërm të dëshmorëve të atdheut. Me përfundimin e ceremonisë zyrtare, Rama dhe Nikolla u larguan nga Varrezat e Dëshmorëve ndërsa Veliaj qëndroi me kolegët e pushtetit vendor.

Ditën e Dëshmorëve e përkujtoi edhe Partia e Lirisë. Presidenti i PL Ilir Meta zhvilloi më herët homazhe po ashtu, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e ngushtë. Ai i mbylli homazhet me mesazhin e tij politik për planin me 5 pika.

“Kjo ditë na kujton sa gjak është derdhur për çlirimin dhe lirimin e  Shqipërisë. Na kujton se liria e ka çmimin shumë të shtrenjtë dhe duhet bërë çdo sakrificë për të mbrojtur dhe për ta merituar atë.

Jemi këtu sepse besojmë te shenjtëria e gjakut të dëshmorëve. Besoj shumë te Atdheu, dhe Atdheu na duhet të jetojmë të lirë dhe të mos harrojmë që themeluesit e kësaj force politike 20 vite më parë, krijuan një forcë të re politike. Kjo forcë politike duhet t’i dalë zot vendit dhe mbi të gjitha atdheut. Ndaj kemi në fokus 5 prioritete kryesore për 4 milionë shqiptarë", deklaroi ai.

5 maji është caktuar Dita e Dëshmorëve, në përkujtim të veprës së Qemal Stafës, ish sekretarit politik të të rinjve komunistë të vrarë më 5 maj 1942, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë