Politike

Dita e Çlirimit, Meta e Rama bashkë, LSI e ndarë nga opozita

74-vjetori i çlirimit ka bashkuar krerët më të lartë të shtetit shqiptar, por dita e 29 Nëntorit ka përçarë opozitën shqiptare. Presidenti Ilir Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe kryeministri Edi Rama u shfaqën së bashku në këtë ceremoni përkujtimore.

I pari, sipas ceremonialit, ishte Presidenti Meta që vendosi kurorë pranë monumentit Nënë Shqipëri, më pas kryeparlamentari Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Një ceremoni ndryshe kjo e sotmja, e ftohtë dhe që ka shmangur “përplasjet” dhe shtrëngimin e duarve mes Ramës dhe Metës, pasi dy krerët e lartë të shtetit dikur aleatë të një koalicioni politik, tashmë kanë ndërprerë marrëdhëniet mes tyre, që pas përplasjes së fortë që u zhvillua me dekretin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Presidenti Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentari Ruçi në ceremoninë e sotme

Pas vendosjes së kurorave me luleve dhe përshëndetjes të të pranishmëve, Presidenti dhe Kryeministri shmangën sërish shtrëngimin e duarve, duke mos preferuar gjithashtu as që të jepnin ndonjë deklaratë formale për median.

Presidenti përpara se të largohej nga ceremonia takoi vetëm kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

Në këtë ceremoni si përherë janë lënë jashtë ithtarët e diktatorit Enver Hoxha, të cilët kanë pritur gjersa të mbaronin traditën zyrtarët e lartë të shtetit dhe më pas të zhvillonin ceremoninë më vete.

Dita e çlirimit ka hapur përherë debate mes socialistëve dhe demokratëve. Për të djathtën Shqipëria u çlirua më datën 28 Nëntor 1944, por akuzojnë se udhëheqësi komunist i asaj kohe, Enver Hoxha shpalli 29 Nëntorin, duke falsifikuar historinë dhe e lënë qëllimisht për shkak të marrëdhënieve me ish-Jugosllavinë.

Madje qeveria e djathtë, me ardhjen në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 1992 mori vendimin për ndryshimin e datës së Çlirimit nga 29 në 28 Nëntor.

Por, 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta erdhi në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm u kthye në festë zyrtare.

Pavarësisht se demokratët u rikthyen në pushtet në vitin 2005, qeveria Berisha nuk mori vendim që ta ndryshonte me ligj datën e Çlirimit të Shqipërisë, por vijonte ta kujtonte këtë ditë më 29 Nëntor.

Dita e Çlirimit ka ndarë edhe opozitën shqiptare, pasi Lëvizja Socialiste për Integrim ka përkujtuar sot dhe jo dje më 28 Nëntor këtë datë, siç bëri aleati i saj kryesor në opozitë, pikërisht Partia Demokratike.

Drejtuesit më të lartë të LSI-së, të kryesuar nga kryetarja Monika Kryemadhi zhvilluan homazhe pikërisht sot. “Të respektojmë dhe të nderojmë heronjtë e NAÇL-së, për të gjithë ata djem dhe vajza që dhanë jetën në luftën kundër nazifashizmit. Nderimi ynë ndaj këtyre djemve dhe vajzave është më e pakta që mund të bëjmë për ta. Nderimi i LSI do të jetë vazhdimisht, duke i vendosur ata në historinë e shqiptarëve pasi ka pasur me mijëra të rinj e të reja që i kanë dhënë Shqipërisë dhe nuk i kanë marrë asaj’, tha Kryemadhi pas ceremonisë.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe deputetët e LSI në ceremoninë e sotme

Në nder të kësaj dite do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, ndërsa epiqendra e festimeve padyshim ngelet Tirana. Kjo festë do të festohet ndryshe dhe nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë, pasi Forcat e Shtabit të Përgjithshëm ka organizuar një event prezantues në Pedonalen e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë