Analize

Dita e Ballkanit në tryezën e Donald Trump

“Ballkani ka një rëndësi një të veçantë për mua sepse gruaja ime është nga Sllovenia”. Kjo deklaratë e presidentit amerikan Donald Trump në korrik të këtij viti, duket se i hapi rrugën një angazhimi të pashembullt të Amerikës në rajon. Edhe pse zgjedhja e Donald Trump si Presidenti i Amerikës u parapri nga një spekticimzëm në rajon. Madje edhe kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi gjatë fushatës elektorale se zgjedhja e Trump do te ishte e keqja më e madhe që mund t’i ndodhte botës. Por në dy vite të qeverisjes së mandati njujorkez ka treguar pikërisht të kundërtën.

Katërmbëdhjetë dhjetori duket se ka qenë Dita e Ballkanit Perëndimor në tavolinën e Donald Trump, pasi presidenti u ka dërguar tre letra të ndryshme kryeministrit Rama, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiçit. Ai ka falënderuar qeverinë shqiptare për dëbimin e Ambasadorit Iranian dhe një tjetër diplomateje, duke thënë se e konsideronte vendin tonë një aleate të madhe. Ai i ka kërkuar Serbisë dhe Kosovës të arrijnë një marrëveshje "historike”, duke sinjalizuar se Uashingtoni është i gatshëm të marrë një rol kryesor në negociatat mes tyre. Tre letrat e Trump duket të jetë një përpjekje e Uashingtonit për të rifituar rolin udhëheqës për zgjidhjen e tensioneve në Ballkan, duke sfiduar herë pas herë edhe vullnetin e Bashkimit Europian.

Trump i shkruan Ramës, Vuçiç dhe Thaçit në të njëjtën ditë

Edhe pse vendimi për përjashtimin e Ambasadorit Iranian dhe një tjetër diplomati u bë publik më 19 dhjetor, Presidenti Trump ka përshëndetur që më datë 14 hapin e marrë nga qeveria shqiptare.

Në një letër dërguar Kryeministrit Edi Rama, presidenti Trump e falenderon “për përpjekjet e tij të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit.”

“Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda”, shkruan presidenti amerikan, duke shtuar se “Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkura dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin”,shkruante Shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Donald Trump

Kjo ishte e hera e parë në gati dy vite të presidencës së tij, që Trump falenderonte Shqipërinë dhe e konsideronte si një mike të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në po të njëjtën ditë, presidenti amerikan ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi ndërmjet tyre. Në një letër të dytë drejtuar presidentit Hashim Thaçi, Trump e cilëson Kosovën si një vend kycc për garantimin e paqes.

"Kosova është një partner vendimtar në përpjekjet tona për të garantuar paqen dhe qëndrueshmërinë për gjithë Europën. Unë i mirëpres përpjekjet tuaja aktuale për pajtim me Serbinë. Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike, do të ishte një kthim tragjik mbrapa, sepse një mundësi tjetër për marrëveshje paqësore gjithëpërfshirëse, vështirë se do të mund të përsëritet për një kohë të gjatë", shkrun shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Ai u ka bërë thirrje që "të gjithë udhëheqësit e Kosovës, ta shfrytëzojnë këtë moment unik, të flasin me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe, dhe të përmbahen nga veprimet të cilat mund ta vështirësojnë arritjen e marrëveshjes".

Shtetet e Bashkuara, thuhet në letër, kanë investuar shumë për suksesin e Kosovës, si një shtet i pavarur dhe sovran. "Ne duam që vendi i juaj të vazhdojë të zhvillohet. Ne jemi të gatshëm që t’ ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja për të arritur një marrëveshje, e cila pasqyron në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Një marrëveshje e tillë është e arritshme. Unë pres që në Shtëpinë e Bardhë, t’ju mirëpres ju dhe presidentin Aleksandër Vuçiç, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike", thuhet në letrën e presidentit Trump.

Por vetëm pak pasi Ambasada Amerikane publikoi letrën e presidentit Trump për Ramën, Zyra e Presidentit serb Aleksandar Vuçiç deklaoi se edhe ajo kishte marrë një letër nga shefi i Shtëpisë së Bardhë , në të cilën presidenti i SHBA thotë: "Unë ju inkurajoj që ta kapni këtë moment dhe të ushtroni udhëheqjen politike në marrjen e vendimeve të nevojshme për të balancuar interesat e të dy vendeve".

"Do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq të humbasim këtë mundësi unike për paqen, sigurinë dhe rritjen ekonomike," tha Trump.

Letra e tij erdhi disa ditë pasi Beogradi ka paralajmëruar për një ndërhyrje të armatosur në Kosova pasi Prishtina miratoi krijimin e ushtrisë së saj. Trump tha në letrën që SHBA është e gatshme të ndihmojë në uljen e tensioneve dhe se ai duke pritur dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë "për të festuar marrëveshje historiken ", një kërkesë që i kishte drejtuar Kosovës.

“Jam e sigurt që një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës është e arritshme," tha Trump.


Aleksandar Vuçiç dhe Donald Trump

Angazhimi i Trump në Ballkan

Pavarësisht spekulimeve që sugjeronin të kundërtën, Ballkani duket se është kthyer në faktor jo pa rëndësi në politikën e jashtme të Presidentit Trump. Tre muajt e fundit, administrata ka ndërmarrë një kurs të vërtetë angazhimi politik drejt Ballkanit.

Fillimisht, administrata mbështeti fuqishëm pranimin e Malit të Zi në NATO. Në një fjalim në Mal të Zi në gusht të këtij vitit, Zëvendëspresidenti Amerikan nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA për Marrëveshjet e Dejtonit, dialogun Serbi-Kosovë dhe integrimin e mëtejshëm Euro-Atlantik të Shqipërisë, Bosnjes, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Ndërkohë, gjatë dy viteve të fundit, sidomos pranverën e vitit të kaluar, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën Jugore Qendrore Hoyt Yee mori rolin udhëheqës në menaxhimin e një serie krizash politike që po kërcënonin formimin e një qeverie në Maqedoni, pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet në Shqipëri dhe kaosin në Kosovë pas mosmarrëveshjeve mbi demarkacionin me Malin e Zi. Yee mbajti bisedime me partinë Demokratike dhe ofroi mbështetje gjithashtu për një traktati miqësie, midis Maqedonisë dhe Bullgarisë.

Pas emërimit si Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Ëess Mitchell deklaroi se do të nxiste Moskën të ndërpriste aktivitetet e saj destabilizuese në Ukrainë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin. A zhvilloi në sërë takimesh në rajon, duke u bërë thirrje të gjitha palëve politike të gjenin e gjuhën e përbashkët.

Por prova më e madhe e angazhimit të administratës Trump në rajon erdhi me përpjekjet për zgjidhjen e dy mosmarrëveshjeve më të mëdha në rajon, atë midis Greqisë dhe Maqedonisë dhe atë midis Kosovës dhe Serbisë.

Sekretari i Mbrojtjes James Mattis, vizitoi Shkupin pak para referendumit duke theksuar se SHBA-ja do t’i qëndronte Maqedonisë pranë përgjatë gjithë rrugës së saj drejt integrimit euroatlantik. Ai i bëri po ashtu thirrje Rusisë t’i jepte fund ndërhyrjes në Ballkanin Perëndimor. Pas tij, Trump i shkroi një letër kryeministrit Zoran Zaev duke e uruar për marrëveshjen e Prespës dhe duke i garantuar mbështetjen e tij.

Kur erdhi fjala tek Kosova, kreu amerikan duket se vendosi të angazhohej personalisht, duke u takuar disa here më Presidentin Hashim Thaci, të cilit i ka ofruar mbështetje të plotë për krijimin e ushtrisë dhe marrëveshjen më Serbinë.


Presidenti Hashim Thaci dhe Donald Trump

Më 19 tetor në një forum sigurie në Beograd, një zyrtar i lartë i lartë i Departamentin Amerikan të Shtetit prezantoi për herë të parë një tablo gjithëpërfshirëse të vizionit dhe interesave të administratës Trump për rajonin. Matthew Palmer, zëvendës ndihmë sekretari amerikan i Shtetit, hodhi poshtë të gjithë zërat se Ballkani Perëndimor ka zbritur në fundin e listës së prioriteteve të SHBA-së, pasi Presidenti Donald Trump mori pushtetin.

Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit shprehet se Presidentti Trump mbetet i fokusuar dhe i përkushtuar për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë qëllimin e tyre për të hyrë në institucionet europiane dhe euroatlantike. “Ne kemi punuar për këtë qëllim për shumë vite përmes administratave të shumëfishta.

Kjo mbetet qëllimi kryesor strategjik dhe objektivi i politikës amerikane”, deklaroi ai për “Western European Balkans”. “Nuk mendoj se është e vërtetë se Ballkani Perëndimor nuk është prioritet . Gjithmonë ka konkurrencë për kohën dhe vëmendjen, nga ana e parimeve. Sigurisht, nëse shikoni prapa në vitet 1990, Ballkani Perëndimor ishte në krye të prioritetit, jo vetëm për SHBA-në, por për mbarë botën. Gjërat kanë ndryshuar në këtë drejtim, por SHBA mbetet e angazhuar në këtë rajon. Ne mbetemi të angazhuar në këtë rajon. Ne jemi këtu, po punojmë ngushtë me qeveritë e Ballkanit Perëndimor për të çuar përpara objektivin tonë të përbashkët të integrimit europian, paqen, begatinë dhe stabilitetin”, u shpreh Palmer.

Zyrtari i lartë amerikan theksoi edhe njëherë se Amerika “është” ulur këmbëkryq në Ballkan. Duke iu referuar Shqipërisë, ai i bëri thirrje vendit tonë të çojë deri në fund reformat, sidomos procesin e Vettingut dhe të çojë përpara luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Aleati jonë i vogël Shqipëria ka pasur gjithashtu një rrugë e gjatë. Ne mirëpresim vendimin e Këshillit Europian për hapjen e negociata të anëtarësimit me Tiranën në qershor të vitit të ardhshëm. Ky vendim që do ta çojë vendin përpara, reflekton këmbënguljen e qeverisë shqiptare për të rivendosur sundimin e ligjit në institucione dhe realizimin e reformave dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tirana zyrtare duhet të shkojë përtej këtyre përpjekjeve dhe t’i demonstrojë Brukselit dhe qytetarëve shqiptarë se është e angazhuar dhe e aftë dhe të çojë përpara transformimet që do të sigurojnë të ardhëm e saj të ndritur. Është një tregues i mirë fakti që po shohim disa prokurorë dhe gjykatës të korruptuar të shkarkuar nga pozicionet publike si pasojë e procesit të Vetingut. Por bëjmë thirrje Shqipërisë të çojë deri në fund këto reforma dhe qëndrojë e patundur përballë presionit politik”.

Sipas tij të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë shqetësime të ngjashme: mungesa e sundimit te ligjit, korrupsion i shfrenuar, përhapjen e krimit të organizuar mungesa e lirisë së medias. Zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit i bëri gjithashtu thirrje Tiranës dhe Athinës zyrtare që të arrijnë sa më parë një marrëveshje për kufirin detar dhe çështje të tjera të mbetura hapur mes dy vendeve. “Dua të ritheksoj edhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë prosperitet dhe integrimin e Ballkanit në Organizatat Perëndimore”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë