Art dhe Kulture

Dita Botërore e Operas – A mund të jetojë bota pa art?

“Në Ditën Botërore të Operës, do të kishim dashur shumë që dyert e teatrit tonë të ishin të hapura për publikun”, shkruante Zana Çela, drejtoresha e TKOB në profilin e saj të Facebook, ndërsa lajmëronte se me shpresë, së shpejti do të ngrihej sipari i shfaqjes së parë live, në teatrin e rikonstruktuar, kur një sërë teatrosh në Europë dhe botë e kanë rinisur veprimtarinë artistike, edhe pse me audiencë të reduktuar deri në 30 përqind të kapacitetit. Ashtu si Opera Kombëtare e Greqisë, e cila e nisi jetën operistike këtë sezon pas shtatë muajsh mbylljeje me Madama Butterfly të interpretuar nga sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho.

Por me të gjithë kufizimet, Dita Botërore e Operas nuk i ndërpreu festimet, duke gjetur mënyra alternative për të kremtuar rëndësinë e kulturës dhe të artit në jetët e popujve.

Opera La Boheme, produksion i TKOB, 2019

“Këtë vit, kur jetët e të gjithëve janë prekur nga pandemia globale dhe padrejtësitë shoqërore të botës kanë fituar shikueshmëri dhe kanë prekur komunitete më të gjera, forca shëruese e muzikës dhe artit është e nevojshme më shumë se kurrë”, kështu shprehej Nicholas Payne, drejtori i Opera Europa, pjesë e së cilës është edhe Teatri ynë i Operas dhe Baletit.

 Qeniet njerëzore janë elastike, vijon në mesazhin e tij drejtori Payne dhe në fund të fundit, do të mbijetojnë nga vështirësitë pas izolimit. “Ata duhet të motivohen nga një qëllim më i lartë; ai që përfshin qëndrimin e patundur për një shoqëri të lirë me shanse të barabarta. Mirëqenia është një gjendje e trupit dhe e shpirtit. Opera është një gjuhë ndërkombëtare dhe historitë e saj pasqyrojnë vlerat e lirisë dhe tolerancës”, është i mendimit kreu i Opera Europa.

Festimet e këtij viti, të Ditës Botërore të Operas kishin emblemë kompozitorin e madh Ludvig van Beethoven, në 250 vjetorin e lindjes së tij. "Një gjigant i krijimtarisë muzikore, ai gjithashtu mishëron mesazhin humanitar të vëllazërisë universale, i cili frymëzon programin tonë për 25 Tetor”, zbulonte Payne, ndërsa platforma online “OperaVision”, ofroi për tri ditë, nga 23 deri më 25 tetor shfaqje vokale nga gjashtë kontinente së bashku me mesazhe nga ambasadorët në të gjithë botën.

https://www.youtube.com/watch?v=BVBDDakOGlY

Kalendari i festimeve çelej me Tiranën dhe koncertin simfonik të Orkestrës së TKOB, kushtuar krijimtarisë së Beethoven-it, në 250 vjetorin e lindjes së tij.Nisma e Ditës Botërore të Operës lindi si rezultat i diskutimeve të përbashkëta midis anëtarëve të OPERA America, Ópera Latinoamérica dhe Opera Europa dhe përfaqësuesve të fushës së operës nga pjesa tjetër e botës, në Forumin e Parë Botëror të Operës, organizuar nga Teatri Mbretëror i Madridit, në prill 2018, kur ndoshta pak e dinin se zhanri i lindur në Italinë e shekullit të 16-të, do të pësonte një goditje për shkak të pandemisë, që i pa teatrot e të gjithë botës të mbyllur nga muajt e parë të 2020-s.

Koncerti simfonik i Orkestrës së TKOBAP, në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar

Dita Botërore e Operës festohet në 25 Tetor, ditëlindjen e Georges Bizet dhe Johann Strauss II, kompozitorë të operës dhe operetës më të famshme në botë.

Dita Botërore e Operës është një fushatë ndërgjegjësuese për ndikimin pozitiv dhe vlerën e Operës për shoqërinë. Opera, si dhe artet e tjera, mendojnë organizatorët, kontribuojnë në zhvillimin e tolerancës dhe mirëkuptimit, hapjen e mendjeve dhe vënien e njerëzve në kontakt me emocione të forta universale. Ashtu si sporti formon një trup të shëndetshëm, artet formojnë një mendje të shëndetshme.

https://www.youtube.com/watch?v=oD-1V79clMs

Për këtë edicion të vitit 2020, OperaVision, platforma e transmetimit falas e mbështetur nga programi Creative Europe i Bashkimit Europian, transmetoi tre versione të ndryshme të operës së vetme të Beethoven, Fidelio: një version koncerti të regjistruar së fundmi; një formë të animuar për të rinjtë; dhe në një prodhim shëtitës, të vendosur në zemër të një komuniteti të brendshëm të qytetit.

https://www.youtube.com/watch?v=5_AnBM8Vksc

Të tjerë kremtime në këto tri ditë përfshinin koncerte online dhe live si“Tous a l’Opera”, me Operan Kombëtare Lorraine, Orkestra e Operës së Montpellier, Opera Kombëtare e Rinit, Opera Kombëtare e Parisit, Opera Komike, Opera Toulouse.

Fondacioni Teatri Coccia, shfaqi online “Alienati: Opera Smart Working”, Teatri i Ri Kombëtar, “Turandot”, Fondacioni Pergolesi Jesi, ofroi biletame gjysmë çmimi për “Notte per me luminosa”, Televizioni Polak transmetoi “Flauti Magjik’, ndërsa nga Tokio erdhi koncerti kremtues për Ditën Botërore të Operas.

https://www.youtube.com/watch?v=2tuqfIlS6Fw

Teatri Regio Parma, shfaqi dy video-mesazhe “Kurrë më pa artin” dhe “Opera, arti i emocioneve”, Teatri shtetëror Kalrsruhe, transmetoi një koncert me muzikës nga Shtraus. Edhe në Moskë e Londër u organizuan koncerte festive, ndërsa Portugalia kishte përgatitur koncert me muzikë nga Beethoven dhe Çajkovski. Kebeku solli më 25 tetor një Gala live, ndërsa Nju Jorku ofroi një koncert kremtues. Opera Kombëtare e Sofjes shfaqi “Carmen”, ndërsa Opera e Tiranës e kremtoi me “La Boheme”, duke e ofruar falas online, produksionin e 2019-s, në orën 9 të mbrëmjes.

https://www.youtube.com/watch?v=X4BBL6_rLBU

Opera “La Boheme” i Giacomo Puçini është produksioni i plotë i TKOB prodhuar një vit më parë, që shënoi kulmin e angazhimit të artistëve të rinj në tre vitet e fundit, e ardhmja e skenës operistike shqiptare. Katër netët e shfaqjeve live, e mblodhën vitin e kaluar publikun adhurues të muzikës operistike në sallën e Pallatit të Kongreseve, ku ndër artistët e ftuar ishinkëngëtarët operistikë me famë ndërkombëtare Giussepe Tomaso dhe Ghocia Abuladze.

Opera Europa, Opera America de Opera Latinoamérica, në bashkëpunim me Opera për Paqe , ofruan performancat vokale nga gjashtë kontinente, bashkë me mesazhet nga ambasadorë në të gjithë botën, mes tyre Ai Weiwei, Luca Pisaroni, Sondra Radvanovksy, Ernesto Ottone (UNESCO), Isabel Leonard, Brian Jagde, Elsa Dreisig, Joyce El-Khoury, Peter Sellars, Golda Schultz and Nicole Car, dhe artistët e rinj Raehann Bryce-Davis, Vuvu Mpofu, Victoria Karkacheva dhe Leonardo Sánchez.

Opera për Paqen është një lëvizje e re kulturore që pasqyron realitetin e botës së sotme të globalizuar, duke ndërtuar së bashku të ardhmen tonë kulturore dhe krijuese përmes pasionit dhe vendosmërisë. Beson në forcën e lidhjes së kombeve dhe tejkalimin e ndryshimeve përmes komunikimit unifikues të operës. Duke punuar ngushtë me teatrot, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, ajo aspiron të lehtësojë të kuptuarit duke identifikuar, mbështetur dhe udhëhequr gjeneratën e ardhshme të yjeve të operës në botë. Këta artistë të rinj janë ambasadorë të vlerave pozitive universale.

Situata e re, krijuar nga pandemia e koronavirusit ka çuar edhe në shpikjen e ideve të reja, si risjellja e operas “Cosi fan tutte” , shndërruar nga Opera e Finlandës në “Covid fan tutte” . Në skenë, këngëtarët bëjnë prova për “Die Walkür”, ndërsa ndërpriten beftë. Ndërsa menaxhimi anulohet dhe lajmet e virusit global përhapen me shpejtësi, vagnerianët udhëzohen aty për aty të performojnë një satirë moderne mbi situatën, duke rivizituar operan klasike të Moxartit.

Në këto kohë sfiduese, veçanërisht për artin, ndërprerë në mënyrë drastike në të gjithë botën, fjalët e romancierit dhe dramaturgut turk Mehmet Murat Ildan jehojnë ndoshta më shumë se kurrë... Nëse do të ndihesh se i përket diçkaje më të lartë, diçkaje madje edhe përtej këtij universi, atëherë shko në Opera!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë