Art dhe Kulture

Dita Botërore e Monumenteve me sytë nga trashëgimia rurale

Në Ditën Botërore të Monumenteve sytë janë kthyer nga peizazhet rurale. Kjo ka qenë tema e propozuar për këtë vit nga Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve, që si çdo vit, prej themelimit të saj, më 18 prill të 1982-shit , zgjedh një temë të caktuar për kremtimin e trashëgiminë kulturore. Kjo temë, lidhet gjithashtu me  temën e Simpoziumit Shkencor të  këtij këshilli  mbi trashëgiminë rurale, që do të mbahet në tetor të këtij viti në Marakesh, të Marokut, e që   do të shoqërojë të gjithë aktivitetet që do të organizohen.

Dita Ndërkombëtare e Monumente dhe Siteve e këtij viti ofron mundësinë për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e peizazheve rurale, sfidat që përfshijnë ruajtjen e tyre, përfitimet që ofrojnë këto përpjekje dhe se si peizazhet rurale janë të lidhur ngushtë me zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo gjithashtu ofron një mundësi për të nxitur komunikimin dhe për të ndërtuar lidhje me komunitetet, duke pranuar përfshirjen e tyre në krijimin, ekzistencën, evolucionin dhe pasurinë e këtyre peizazheve rurale dhe pa dyshim edhe në ruajtjen e tyre.

Parku Arkeologjik i Apolonisë, Fier

Kthyer tashmë në një traditë, edhe Shqipëria çdo vit i bashkohet kremtimeve në kuadër të kësaj dite ndërkombëtare dhe të gjitha institucionet kombëtare që administrojnë vlera të trashëgimisë kulturore kryesisht monumente në administrim të DRKK-ve dhe parqeve arkeologjike përfshihen gjatë gjithë javës në një kalendar aktivitetesh.

Ministrja Elva Margariti, zgjodhi  Apoloninë,  për të dhënë mesazhin e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore. “Ajo që ndodhi në Paris duhet të na bëjë edhe më të ndërgjegjshëm për trashëgiminë tonë kombëtare, për ta mbrojtur atë dhe nga ana tjetër për ta promovuar edhe më tepër. Është e rëndësishme që teknologjinë ta përdorim në këtë drejtim”, u shpreh Margariti.

Ministrja Margariti në Apoloni

Për rastin, muzetë, parqet arkeologjike dhe drejtoritë rajonale, kanë hartuar kalendarë me veprimtari të ndryshme për publikun, nga nxënësit e shkollave e deri te qytetarët artdashës si dhe për turistët vendas dhe të huaj, që do të vizitojnë këto institucione. Trajnime ciceronësh, ekspozita fotografike, vizita në parkun arkeologjik të Apolonisë apo Butrintit, vizitë në monumentet e Krujës apo në kishat e kalasë së Beratit janë disa nga veprimtaritë, ndërsa gjatë 18 prillit hyrja në sitet, muzetë dhe parqet arkeologjike kanë qenë falas.

Mozaiku, në vilën me IMPLUVIUM, Apoloni

Në vitin 1982, ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve) vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet, datë e cila u miratua si e tillë në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të UNESCO-s të mbajtur në vitin 1983.

Në  listën e monumenteve të trashëgimisë Kulturore Botërore, ku përfshihen edhe Butrinti, Gjirokastra apo Berati, janë  të regjistruar 812 monumente kulturore e site natyrore, nga të cilat 628 janë monumente kulturore, 160 janë site natyrore dhe 24 prej tyre janë të përziera, trashëgimi këto që u përkasin 137 vendeve anëtare të UNESCO-s.

Parku Kombëtar i Butrintit, Trashëgimi e UNESCO-s

Italia mban vendin rekord të regjistrimit të monumenteve të kulturës kombëtare, me 54 të tilla të regjistruara, ndjekur nga Kina me 53 site.  Në vend të tretë renditet Spanja me 47, ndërsa Franca e katërta me 44. Po aq site numëron edhe Gjermania, e cila vjen e pesta, ndërsa India renditet në vend të gjashtë me 37 site. Në dhjetëshen më të mirë është edhe Meksika me 34 site, ndjekur nga Britania me 31, Rusia 28, ndërsa Irani dhe ShBA me 23 të tillë. Brazili dhe Japonia kanë secili nga 20 site. Ndërsa Greqia ka 18 site të listuara në trashëgiminë botërore.

Butrint

Në vitin 2018, numëroheshin 1073 site të Trashëgimisë Botërore në UNESCO, të shpërndara në tëgjithë globin. Me Italinë që mban kurorën si vendi me më shumë site në UNESCO, Europa dominon në dhjetëshen më të mirë të vendeve në UNESCO me 220 site, në Itali, Gjermani, Spanjë, Francë, Britani, Greqi, por edhe Shqipëri.

Gjashtëdhjetë vjet pas  anëtarësimit në UNESCO, Shqipëria numëron gjashtë pasuri të trashëgimisë botërore, ndërsa pritet t’i bashkohet edhe pjesa shqiptare e liqenit të Ohrit. Mes pasurive të trashëgimisë kulturore shqiptare, tashmë të mbrojtura nga UNESCO janë Parku Arkeologjik i Butrintit, Berati dhe Gjirokastra, Kodiku i Purpurt i Beratit, Isopolifonia, Rezerva ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë dhe pyjet e ahut të lashtë të lumit të Gashit të Shqipërisë dhe Rrajcës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë