Mjedis

Dita botërore e mjedisit, ambientalistët: Në Shqipëri ka reagim të dobët për ndotjen dhe reduktimin e shkaqeve të ngrohjes globale

Në ditën botërore të Mjedisit, ambientalistët thonë se Shqipëria vijon të ketë probleme me ndotjen dhe reduktimin e shkaqeve që sjellin pasojat në ngrohjen globale. I kontaktuar nga gazeta “SI”, ambientalisti Lavdosh Feruni thotë se ndonëse ka përpjekje për një mjedis më të mirë, në vendin tonë po ndodh fenomeni e kumulativit të ndotjes, pra mjedise ku akumulohen ndotjet e reja në vendet tashmë të ndotura. Feruni thotë se në kontekstin e zgjidhjes, kërkohet angazhim shumë I madh nga ana e qeverisë e cila deri më tani nuk po shihet. Sipas tij, shembulli më tipik është menaxhimi i mbetjeve I cili po orientohet në një drejtim të gabuar, drejt incenerimit dhe jo riciklimit. ‘Vëmendja nga ana e shoqërisë dhe qeverisë është shumë I vogël sa I takon ndryshimeve klimatike. Do doja të përmendja vendimin e fundit, për të shtuar instalimin e industrisë fosile në gjirin turistik të Vlorës, e cila ndikon negativisht në emetimin e CO2, që lidhet me ngrohjen globale. Të gjitha rekomandimet janë për ta reduktuar këtë tregues, por këtu tek ne duket se nuk ka ndonjë vëmenndje”, thotë ambientalisti Lavdosh Feruni. Nga 1 qershori, në Shqipëri ka nisur zbatimin ligji që ndalon prodhimin, shitjen dhe tregtimin e qeseve plastike njëppërdorimshe. Ndonëse u prit me skepticizëm në fillim, grupet e interesit thonë se ky hap ligjor do të ndikojë në reduktimin e ndotjes në mjedis. Por ata kërkojnë që të shtohen kontrollet dhe të zbatohet ligji për të ndëshkuar shkelësit e tij. Vullnet Haka, kryetar i shoqatës së Konvertuesve të Plastikës thotë se ndalimi nga qarkullimi i qeseve që përmbajnë aditivë oxo-degradues dhe oxo-biodegradues me pasoja shkatërruese në mjedis, është një hap shumë I mirë në këtë drejtim. “Në kuptimin e vlerës së shtuar për procesin e riciklimit, qeset me këto standarte e parametra që ka përcaktuar ligji vlejnë pozitivisht edhe për riciklimin. Por kushti është që ajo të mblidhet e ndarë nga mbetjet organike”, thotë ricikluesi i plastikës, Vullnet Haka. Por megjithë nismat ligjore dhe përpjekjet e ambientalistëve, në Shqipëri problem mbetet bashkëpunimi në komunitet për një mjedis të pastër në zonat ku banojmë, ku shpesh herë ndotësit më të mëdhenj janë vetë qytetarët. Në lagje dhe blloqe banimi sheh ende grumbullime mbetjesh jashtë venddepozitimeve, koshave apo konteniereve, duke shkaktuar ndotje të ajrit dhe mjedsit për veten dhe fëmijët e të gjithë ne.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë