Futboll

Disfata në derbi ngriti alarmin te Milani, për reagimin duhet ndihma e Ibrahimoviç!

Gazeta Si – Alarmi kuqezi pas disfatës në derbi, ku skuadra e Piolit humbi 5-1, ka rënë fort në prag të sfidës delikate të Ligës së Kampionëve ndaj Njukastëllit. Gjithë ambienti milanist duhet të rikompaktësohet, pasi një pjesë e mirë e sezonit varet nga reagimi në një ndeshje, ku nuk duhet gabuar para tifozëve të vet.

Pa Paolo Maldinin dhe Sandro Tonali, dy kuqezinj në gjak, populli milanist ka marrë një goditje të fortë dhe për të motivuar grupin, në qendrën sportive ka shkuar Zllatan Ibrahimoviç.

Një thirrje urgjente, apo një vizitë e programuar, nuk është qartësuar. Por koha e këtij rikthimi të Ibrahimoviç në qendrën sportive të Milanit për të përshëndetur ish-shokët, është pa dyshim e veçantë.

Pak orë pas derbit shkatërrimtar me Interin, suedezi ka mbërritur në Milanelo dhe me siguri ka pasur një takim me skuadrën. Nuk është sekret, që në Milanin e Piolit figura e tij ka qenë shumë e rëndësishme në dhomën e zhveshjes, thuajse e barabartë me atë të Maldinit për drejtuesit e klubit.

Menjëherë pas lamtumirës nga futbolli i luajtur në qershor është folur për një rol të ri si drejtues për Ibrahimoviç. Një menaxher skuadre, ose më saktë figura e referimit mes stafit teknik, lojtarëve dhe klubit. Ndoshta karriera e tij e re ka nisur pas atij rrëzimi të fortë në derbi…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë