Libra

Disa ide për librat që mund të dhuroni këtë fundvit

Nga Luljeta Nelallari - Festat e fundvitit po trokasin dhe ne të gjithë po mendojmë dhuratën e duhur për të afërmit dhe miqtë tanë.

Ka plot ide, por disa janë më të veçantat. Tashmë edhe dhurimi i librave është kthyer në një trend për festa apo për ditëlindje.

Gazeta “Si” kontaktoi me botuesen e njohur, Arlinda Dudaj, për të marrë disa ide librash dhuratë për miqtë dhe të afërmit në një fundviti jo të lehtë për shkak të pandemisë së krijuar nga Covid-19.

E në fakt ku ka më mirë në këtë kohë të pazakontë sesa një libër për dhuratë me anë të të cilit mund të udhëtojmë në kohë e në hapësirë.

Ja disa nga librat që botuesja Dudaj sugjeron për t’u dhuruar në këtë fundvit:

Vincent - nga Barbara Stok, një nga novelat grafike më të bukura që flet për jetën e Van Gogh në Arle, me ilustrime e tekste të mrekullueshme që përbën dhe një objekt shumë të bukur nga pikëpamja vizive.

Fate dhe shtrëngata – nga Lauren Groff, një libër për dashurinë, martesën, sekretin, të thënat e të pathënat, në penën e një shkrimtareje të madhe, plot imagjinatë dhe mprehtësi të habitshme.

Fluturimi i fundit - nga shkrimtarja e njohur Brunilda Zllami, jeta e një gruaje të përndjekur nga një fat i zymtë, me luftën për jetën dhe pranimin e saj ashtu siç të vjen, një libër rrëmbyes dhe plot narracion siç vetëm Brunilda Zllami është e aftë ta bëjë.

Përtej dimrit - nga Isabel Allende, një libër ku ngjarjet zhvillohen në Amerikë, por që personazhet medoemos do të lidhen me Kilin, apo me rrënjët latino-amerikane, e pashmangshme në librat e Allende. Një libër për emigrimin, antitrampizmin, dashurinë, vuajtjen, por edhe shpresën.

Thrilleri Burri që vëzhgonte gratë, i dyti pas “Burri që nuk ishte vrasës”, nga dyshja suedeze Hjorth&Rosenfeldt. Një roman joshës skandinav nga ato që s’të lëshojnë nga faqja e parë në të fundit. Sebastian Bergmani është profiler që lidh dy librat dhe përmes përfigurimit të vrasësve i jep përgjigje dhe pyetjeve që e torturojnë përgjatë gjithë jetës së vet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë