Lajme

Diplomacia e varur nga Gjykata Kushtetuese dhe lufta me Metën

Edi Rama e nisi fjalën e tij përpara ambasadorëve të vendeve të BE-së, SHBA-së dhe Rusisë me një keqardhje të madhe, lidhur me debatin mbi Genc Cakajn si Ministër i Jashtëm.
“Më vjen sinqerisht keq, që pasuesi i Bushatit, një shqiptar i ri nga Prishtina, me një dituri të admirueshme dhe modesti të spikatur intelektuale, gjëra të cilat do të keni mundësinë t’i konstatoni nga afër, e ka nisur rrugëtimin e tij si ministër i ardhshëm i Europës dhe Punëve të Jashtme në një mënyrë tejet të pazakonshme në pazakonshmërinë e mjedisit tonë politik dhe publik”, do të deklaronte Rama në këtë takim.

Ky qëndrim i kryeministrit erdhi pas refuzimit të presidentit Meta i bëri propozimit për të dekretuar Gent Cakajn si Ministër i Jashtëm.
Pas disa përplasjeve me deklarata mes dy krerëve të lartë të shtetit, Presidentit dhe Kryeministrit, duket se mazhoranca ka vendosur të ndërmarrë një tjetër strategji. Është ajo e pritjes së formimit të Gjykatës Kushtetuese dhe e dërgimit për interpretim të këtij ngërçi institucional, që fillimisht u cilësua si një krisje e që tani po cilësohet haptazi “si veprim totalisht antikushtetues i President”.
“Mos prisni të merrem më me një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit, i cili është katandisur në çizme rezervë e Doktoreshës së Shkencave! Gjykata e re Kushtetuese do t'i japë fund kësaj maskarade, ndërsa vëmendja jonë do jetë e gjitha tek njerëzit e zero tek çizmet!”, do të reagonte Rama në një postim në Twitter.

https://twitter.com/ediramaal/status/1084061229117816832


Presidenti ka vendosur që të mos ta shkarkojë Ditmir Bushatin, veç refuzimit të Genc Cakajt. Në kushtet e një konflikti të hapur institucional, kreu i shtetit duket se me këtë lëvizje ia ka mbyllur shtigjet Ramës që ta drejtojë Ministrinë e Jashtme me zv/ministrin Gent Cakaj, ashtu siç tentoi të vepronte edhe me Ministrinë e Brendshme, ku caktoi si zv.ministër të Brendshëm, Sandër Lleshajn, me atributet e një ministri të komanduar.

  • Përsheshi, ustai, gjeniu, kufijtë, Meta dhe… Bushati

Edi Rama, Ilir Meta, Ditmir Bushati gjatë një takimi në Pogradec me politikanin Menduh Thaçi

Sipas burimeve të Gazeta “Si” pranë MEPJ-së, Ditmir Bushati vijon të mbajë postin e Ministrit të Jashtëm, duke hedhur poshtë zërat se mund të ketë paraqitur dorëheqjen. Sipas burimeve, Bushati ka parashikuar që javën e ardhshme të zhvillojë dy takime të rëndësishme në Tiranë, ku do të presë Ministrin e Jashtëm të Italisë, e cila është pjesë e Trojkës së OSBE-së bashkë me Sllovakinë dhe Shqipërinë. Një tjetër vizitë është më pas ajo e Ministrit të Jashtëm të Holandës. Por kryediplomati Bushati mësohet se ka “ngrirë” axhendën e tij të udhëtimeve jashtë Shqipërisë të parashikuara këtë muaj. Sipas burimeve ai ka anuluar vizitën e tij në Gjermani, të programuar për javën e ardhshme, që parashikonte takimin me nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass. Ky është anulimi i dytë i vizitës së Bushatit pas takimit të programuar më 10 janar me shefen e Politikës së Jashtme të KE-së, Federica Mogherini, si dhe atë me komisionierit për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn.
Nga ana tjetër, Presidenti duket se i ka dhënë një mesazh të qartë mazhorancës që të sjellë një kandidaturë tjetër për Ministër të Jashtëm, duke nënkuptuar se Cakaj është i refuzuar.
“Partia Socialiste ka kapacitete të jashtëzakonshme në fushën e politikës së jashtme dhe Shqipëria ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme, pa kaluar nga autoshkolla e ndryshimit të kufijve në gjithë Ballkanin Perëndimor”, do të deklaronte Meta.
Por a do të pranojë Rama që të heqë dorë nga Cakaj, duke propozuar një emër të ri? Qëndrimi më i fundit i kryeministrit se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim lë të nënkuptohet se ai nuk do të tërhiqet nga ideja e zëvendësimit të Ministrit të Jashtëm, duke pritur ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas dërgimin për interpretim të kërkesës nëse Presidenti ka të drejtë të refuzojë kërkesat për shkarkim dhe emërim ministrash.

• “S’keni parë gjë akoma”. Përplasja Rama-Meta, vetëm fillimi

Por formimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë pikënisja e një lufte të re mes Presidentit dhe Kryeministrit. Kjo për faktin se një pjesë e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese zgjidhen nga Presidenti i Republikës. Sipas nenit 125 të Kushtetutës , Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.
Kuvendi zgjedh gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese me jo më pak se tre të pestat e të gjithë anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë shpallet i emëruar.
Pra, ky është një proces që është i ndërvarur nga qëndrimet e Presidentit. Kjo edhe për faktin se Shqipëria ka edhe një krizë për sa i përket Gjykatës së Lartë, institucioni që ka mbetur i “gjymtuar” me 4 gjyqtarë nga procesi i Vettingut dhe që nuk realizon dot propozimet për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Neni 179 i Kushtetutës, si dispozitë kalimtare parashikon që anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Procedura ka nisur nga Presidenti e Kuvendi, por ka ngecur nga Gjykata e Lartë.

Edhe plotësimi i Gjykatës së Lartë është proces që përfshin Presidentin e Republikës. “Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur Presidenti konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit. Dekreti i Presidentit të Republikës për mos emërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor”, thuhet në nenin 136 të Kushtetutës.
I gjithë ky proces mund të kërkojë shumë kohë deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kostoja e këtij konflikti mes institucioneve kryesore të shtetit, Presidentit dhe Kryeministrit mund të zgjatet pafund.
Konflikti mes mazhorancës dhe kreu të shtetit mund të zgjidhet vetëm nëse kryeministri heq dorë nga ideja për caktimin e Cakajt si ministër dhe me paraqitjen e një emri të ri, pasi në të kundërt do të kemi një ministri që udhëhiqet nga një i shkarkuar dhe mbase i dyzuar nga një zv/ministër që është vetëshpallur si kryediplomat nga Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë