Nga Gazeta ‘Si’- Herën tjetër që po bën “scrolling” në TikTok ose Instagram, mund të hasësh influencerë që zbulojnë detaje mbi diskutimet e politikave ministrore ose çfarë po hanë liderët gjatë samiteve të tyre.
Diplomatët europianë që morën pjesë javën e kaluar në grupin e punës për informacionin mbetën totalisht të habitur kur zyrtarët e Këshillit të BE-së sugjeruan që vendet të ftonin influencerë të rrjeteve sociale për të mbuluar takimet e ministrave dhe liderëve të bllokut.
Gjashtë diplomatë dhe zyrtarë i thanë POLITICO-s se Këshilli kishte propozuar një skemë pilot që do të lejonte influencerët të ftoheshin në samitet e liderëve të BE-së në Bruksel, si edhe në disa mbledhje ministrore.
Një zyrtar i Këshillit konfirmoi se projekti, i cili do të nisë në korrik, do t’i lejojë institucionit “të angazhohet me krijues përmbajtjeje për të arritur audienca të reja dhe për të informuar mbi aktivitetet e Këshillit.”
Kjo vjen në një kohë kur figura të së djathtës ekstreme në BE, përfshirë Jordan Bardella të Francës, kanë grumbulluar ndjekës të shumtë në rrjetet sociale.
Influencerëve do t’u jepet akses në zona të selisë së Këshillit në Bruksel që aktualisht janë të hapura vetëm për gazetarët e akredituar pranë institucioneve të BE-së megjithëse atyre do t’u ndalohet të bëjnë pyetje ministrave dhe liderëve.
“Krijuesit e përmbajtjes do të shoqërohen gjatë gjithë kohës dhe nuk do të trajtohen si media,” vazhdoi zyrtari i Këshillit.
“Po punojmë mbi bazën e rreth 10 krijuesve përmbajtjeje maksimumi për event, të shoqëruar nga stafi i Këshillit.”
“Ata po mendojnë t’u japin influencerëve një lloj aksesi në ndërtesë, në sallën e shtypit dhe zonën ku liderët japin deklarata, por- dhe kjo u theksua-nuk do të lejohen të bëjnë pyetje,” tha një diplomat që mori pjesë në mbledhjen e javës së kaluar.
Diplomatëve dhe zyrtarëve iu dha anonimati pasi nuk janë të autorizuar të flasin publikisht.
Sipas diplomatit, zyrtarët dhanë pak detaje për projektin, duke lënë të kuptohej se ideja ishte të shfaqnin punën e Këshillit para publikut europian. (TikToker-at ndoshta do ta quanin “aura farming”.)
Reagimi i zyrtarëve të qeverive të BE-së në takimin e javës së kaluar ishte “i vakët”, shtoi diplomati. “Ishte shumë si dinamika klasike ku personi më i madh në moshë në dhomë mendon se po prezanton një ide shumë novatore dhe interesante, ndërsa të tjerët pak a shumë e rrëzojnë me pyetje.”
“Nuk e shoh vlerën e shtuar,” tha një zyrtar i BE-së. “Nuk e kuptoj si një TikToker do të arrijë të kuptojë se çfarë është EUCO.” Ndoshta do të bëjnë një video për “hapjen e konkluzioneve të EUCO-së”, sugjeroi ai, duke iu referuar formatit popullor të videove “unboxing”.
Por jo të gjithë u zmbrapsën menjëherë nga ideja. Dhe do t’u takojë vendeve të BE-së të vendosin se cilët krijues do të lejohen të hyjnë, sipas një diplomati nga një vend që e mbështet planin.
Gjithashtu, Këshilli nuk është institucioni i parë që propozon bashkëpunim me influencerë.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, është ulur vazhdimisht në biseda me influencerë dhe i ka ftuar ata edhe në fjalimin e saj për Gjendjen e Bashkimit vitin e kaluar.
Në Parlamentin Europian, influenceri qipriot Fidias Panayiotou fitoi një vend në zgjedhjet e vitit 2024 dhe që atëherë ka prodhuar vazhdimisht përmbajtje mbi punën e tij.
Megjithatë, orientimi drejt përmbajtjes së influencerëve ka tërhequr kritika nga përfaqësuesit e mediave tradicionale.
“Klikimet, shikimet dhe ndërveprimet janë fantastike në TikTok dhe Instagram. Por fakti bazë mbetet: influencerët në konferenca shtypi dhe samite nuk do të jenë të detyruar të zbulojnë kush i financon,” tha në një deklaratë International Press Association, që përfaqëson gazetarët që mbulojnë institucionet europiane.
“Ndërkohë, gazetarët e akredituar në BE nuk pritet të pranojnë pagesa në këmbim të artikujve pozitivë. Kjo quhet etikë gazetareske.”/ Politico
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje