Lajme

Dilemat e Serisë A, Juventus e Napoli përcaktojnë zonën Champions

Seria A luan këtë diel aktin e parafundit të sezonit 2018-2019. Me zgjidhjen e dilemës për ekipin kampion, e gjithë vëmendja tashmë përqendrohet te lufta për zonën Champions. Me Romën që u ndal dje nga Sasuolo, në garë për t’u futur në mesin e katër të parave ka mbetur vetëm Milan, që do të shpresoj në një ndalesë të Interit ose Atalantës, që luajnë të dyja me kryesuesit e kampionatit, Napolin dhe Juventusin.

Milani do të zbresë i pari në fushën e lojës përballë Frozinones në San Siro dhe e vetmja alternativë për kuqezinjtë e Gatuzoës është fitorja. Për momentin Milani është në vendin e 6-të me 62 pikë, 3 më pak se Atalanta që e luan ndeshjen e saj në mbrëmje. Klubi milanez kërkoi që edhe ndeshja e tij të luhet në të njëjtin orar kur do të luhen edhe dy supersfidat e tjera, Napoli-Inter dhe Juventus-Atalanta, por kjo gjë nuk u aprovua nga Liga.

Në rast se Milan fiton çdo gjë do të jetë në dorën e Juventusit dhe Napolit. Me objektivat e plotësuar të dy ekipet mund të bëjnë edhe ndonjë lëshim të lehtë në këtë ndeshje. Humbja e Interit dhe Atalantës, ose barazimi në këto dy ndeshje, do të linte çdo gjë të hapur për zonën Champions për në javën e fundit. Ndërsa fitorja e tyre praktikisht mbyllte çdo gjë dhe Milani e Roma do të mbesnin jashtë Champions League për sezonin e ardhshëm.

Në të shkuarën ka pasur shumë raste, ku skuadra pa objektiva nuk kanë dhënë maksimumin përballë kundërshtarëve që kanë qenë në luftë për mbijetesë, apo për pjesëmarrje në Kupat e Europës. Por edhe kundërta ka ndodhur, ku ekipe pa objektiva iu kanë prishur punë kundërshtarëve në garë, për këtë mjafton të kujtojmë “5 majin” e famshëm të vitit 2002.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë