Lajme

Digjet makina e gruas së ish-gjyqtarit të Emiljano Shullazit

Mbrëmjen e kaluar në Tiranë është djegur një mjet tip “Opel Corsa”, ngjyrë vishnje, i cili ndodhej në një parking.

Ngjarja ka ndodhur pranë stadiumit “Selman Stermasi”, ndërsa mësohet se mjeti është në pronësi të bashkëshortes së gjyqtarit Sokol Binaj, e cila aktualisht punon tek protokolli i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Në mesnatë në rrugën “Grigor Heba” në kryqëzim me “Gjik Kuqali”, në parking ka rënë zjarr në rrethana ende të paqarta në mjetin në pronësi të shtetases L.B. Si pasojë e zjarrit mjeti është djegur pjesërisht”, sqaron policia.

Sa i përket Sokol Binajt, ai është gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda dhe ka pasur në shqyrtim një sërë çështjesh të rëndësishme.

Mësohet se ai ka qenë gjyqtar në çështjen e Emiliano Shullazit, por është tërhequr nga gjykimi i dosjes voluminoze, ndërsa aktualisht gjykon në çështjen e Izet Haxhisë, të akuzuarit për vrasjen e Azem Hajdarit.

Nuk dihen ende nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm apo aksidental, ndërsa policia po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë