Ka ndodhur

Digjen tri makina gjatë natës në Vlorë, Elbasan e Krujë

Tre makina janë djegur gjatë natës në Vlorë, Elbasan dhe Krujë. Policia njofton se ngjarje kanë ndodhur në një distancë të shkurtër kohore, por nuk dihet ende nëse ato kanë lidhje me njëra tjetrën.

Mjeti i parë është djegur në Vlorë dhe autoritetet bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të natës në lagjen “Hajro Çakërri.

Në orët e para të mëngjesit, persona ende të paidentifikuar kanë djegur autoveturën në pronësi të shefit të policisë, në institucionin e Paraburgimit për të Mitur në qytetin e Vlorës, Feim Alisinanit.

Pamje të kamerave të sigurisë tregojnë dy persona që vijnë nga një rrugicë dhe pasi thyejnë xhamin e autoveturës, hedhin brenda lëndë djegëse dhe i vënë zjarrin.

Për pasojë, me gjithë ndërhyrjen e zjarrfikësve, mjeti “Nissan Micra” është djegur plotësisht.

Dyshimet paraprake janë, që ky akt mund të ketë lidhje me detyrën e Alisinanit si shef i policisë në institucionin e Paraburgimit. Në këtë institucion, përveç të miturve mbahen edhe persona të tjerë të paraburgosur si dhe persona që vuajnë dënimet penale.

Policia e Vlorës ka ngritur një grup hetimor për të zbardhur ngjarjen, pasi dyshohet se zjarrvënia është e qëllimshme dhe po shihen kamerat përreth për të zbuluar autorët.

Një ngjarje e ngjashme ka ndodhur dhe në Krujë, ku një mjet ka marrë flakë në oborrin e banesës së G.D. 20 vjeç.

“Më datë 27.11.2020, në orën 00:30, në vendin e quajtur “Ura e Gjolës”, në oborrin e banesës, ka marrë flakë pjesërisht, mjeti tip “Golf”, në pronësi të shtetasit G. D., 20 vjeç“, njofton Policia e Krujës.

Ndërkohë dhe në Elbasan është raportuar një djegie makine. Uniformat blu njoftojnë se mjeti tip “Volvo” është në pronësi të D.D.

“Në orët e para të mëngjesit, në lagjen “11 Nëntori”, Elbasan, është djegur pjesërisht mjeti tip “Volvo”, në pronësi të shtetasit D.D., dhe si pasojë është djegur pjesërisht edhe një mjet tjerë tip “Ford”, i cili ishte pranë mjetit te parë, të cilat ishin të parkuara në rrugë“, sqaron Policia.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë