Rend dhe Ligj

Dhunuesi i Xhisielës përfundon në qeli, kalvari i gjatë deri në arrestim

U deshën 2 muaj kohë, një oficer i policisë gjyqësore në arrati dhe shumë akuza e kundërakuza mes politikës që Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist, Rrahman Rraja të shihte duart e tij të kryqëzuara nga prangat e policisë së shtetit.

Rexhep Rraja është arrestuar  të dielën nga policia për dhunë dhe përndjekje ndaj ish të dashurës, Xhisiela Maloku dhe po këtë të dielë,  është miratuar edhe kërkesa e prokurorisë për masën e “arrestit me burg”.

Sipas prokurorisë dhe policisë, ekspertiza në trupin e 25-vjeçares Xhisiela Maloku tregon se ndaj saj është ushtruar dhunë fizike.

Faksimale e raportit mjeko -ligjor që dëshmonte që herën e parë dhunën ndaj Xhisielës

Rasti i 25-vjeçares u bë i bujshëm pas dëshmisë publike të Emiljano Nuhut, ish-nënkomisar në policinë e Krujës. Dëshmia u bë publike edhe në intervistën që ish-oficeri i policisë, që tashmë dyshohet se është larguar në drejtim të Zvicrës, dha për gazetarin Basir Çollaku.

Sipas dëshmisë së oficerit Nuhu, ai është sinjalizuar nga komisariati nr.3 i Tiranës përmes një e-maili për kallëzimin e shtetases Xhisiela Maloku dhe menjëherë është vënë në lëvizje duke thërritur në stacionin policor të Fushë-Krujës, të akuzuarin Rexhep Rraja.

Por, thotë ai, ditën që ka thërritur në zyrë Rexhep Rrajan atij atë e kanë “vizituar” deputetët Rrahman Rraja, Taulant Balla dhe kreu i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, të shoqëruar nga xhaxhai i të arrestuarit, Xhelali.

Pikërisht Xhelali, deklaron oficeri në dëshminë e tij, i ka drejtuar një armë në kokë dhe nën kërcënimin e armës i ka thënë se “nuk ka shanse që të arrestojë Rexhepin, se përndryshe nuk del i gjallë nga zyra”.

Ky episod dyshohet se ka ndodhur më 21 korrik. Fill pas kësaj, Nuhu ka sinjalizuar eprorët e tij dhe prokuroren, Mirela Kapo. Si prokurorja, ashtu edhe eprori i tij, Komisari Artur Hebaj e kanë “këshilluar” që të mos merret më me këtë hetim dhe t’ja lerë dosjen oficerit Gentian Çitozi.

Në të njëjtën ditë, Çitozi ka njoftuar familjarët dhe të afërmit e Rexhep Rrajas dhe u ka thënë se për të mbyllur çështjen u duhet edhe Xhisiela Maloku. Nuhu deklaron se fill pas kësaj është 25-vjeçarja është marrë me forcë dhe është dërguar në stacionin policor për të tërhequr kallëzimin.

Tërheqja e kallëzimit konfirmohet edhe nga avokati Elton Frangu. Ai thotë se rreth orës 22:00 është thërritur në stacionin policor të Fushë-Krujës dhe shton se u habit se Xhisiela po tërhiqte një kallëzim që kishte bërë po atë ditë, por se nuk ishte në dijeni të ndonjë presioni apo dhunë ndaj saj.

Një ditë më pas, Xhisiela u është drejtuar zyrave të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Durrësit, që ka vendosur pezullimin e oficerit Gentian Çitozi. Pas kësaj, më datë 27 korrik hetimet i ka marrë sërish përsipër oficeri Nuhu.

Ky i fundit ka vijuar me dosjen. Më 29 korrik Sali Berisha sinjalizonte përmes një statusi në Facebook se çfarë po ndodhte në stacionin policor të Fushë-Krujës.

Më 30 korrik, Gentian Çitozi ka marrë dëshminë e Xhisiela Malokut. Në këtë dëshmi, sipas Nuhut, ajo i ka rrëfyer peripecitë me të cilat ishte përballur për të kallëzuar djalin e deputetit Rrahman Rraja. Sipas dëshmisë së të resë, dëshmia e saj është refuzuar në fund të 2017 nga policia e Krujës, megjithëse kishte shkuar atje e gjakosur. E njëjta gjë i kishte ndodhur edhe në shkurt-mars të 2018 në komisariatin nr.6 në Tiranë, deri në momentin që dëshmia është pranuar nga komisariati nr.3 po i kryeqytetit, i cili për mungesa juridiksioni, pasi ngjarja kishte ndodhur në territorin e Policisë së Krujës, ja ka transferuar këtë dosje kësaj policie.

Rama mbron veprimet e policisë: Nuhu, horr që do ta ndjekim këmba-këmbës

Kryeministri Edi Rama foli vetëm të shtunën për ngjarjen në fjalë. Fillimisht përmes një postimi në rrjetet sociale, ai “dënonte dhunën” ndaj 25-vjeçares, por akuzonte opozitën se po e përdorte politikisht këtë rast.

Pas këtij postimi, Kryeministri i rikthehet gjatë një aktiviteti të qeverisë të organizuar në Korçë. Këtë herë tregohet më i drejtpërdrejtë dhe flet edhe për oficerin Emiljano Nuhu, që e cilëson si “horr”.

“Një horr i kthyer një hero, ka braktisur detyrën dhe ka përdorur rastin për të fituar azil. Nuk do t’i ndahemi atij horri”, tha Rama.

Ashtu si në rastin e Dritan Zaganit, Kryeministri thotë se Emiljano Nuhu po gënjen për të përfituar azil në perëndim.

Por, ai që për Edi Ramën është një “horr”, për Lulzim Bashën është një “oficer i ndershëm dhe guximtar i policisë së shtetit, që iu kundërvu bandave të pushtetit”.

Kryetari i Partisë Demokratike e denoncoi rastin dhe kërkoi largimin e Kryeministrit Edi Rama.

“Ky krim i rëndë kundër njeriut, i mundësuar dhe mbrojtur nga funksionarët më të lartë të shtetit është këmbana e alarmit për të gjithë shoqërinë se tashmë jetët e cdo kujt janë të rrezikuara nga kriminelët e rrugës që mbrohen nga kriminelët e shtetit”, deklaroi Basha.

Në shënjestër të kreut të PD-së ishte Taulant Balla. Ky i fundit akuzohet edhe nga oficeri Nuhu se ka qenë i pranishëm në stacionin policor të Fushë-Krujës në momentin që është kërcënuar. “Ata (Taulant Balla dhe Artur Bushi) ishin shumë të qetë dhe i thanë Xhelalit (xhaxhait të Rexhep Rrajas) që të qetësohet, se oficeri është djalë i mirë”, thotë Nuhu në dëshminë e vet.

Vetë kreu i grupit parlamentar socialist rrëzoi akuzat. Ai deklaroi fillimisht se nuk kishte shkelur asnjëherë në komisariatin e Fushë-Krujës dhe se në ditën që thuhet se ka ndodhur ngjarja, pra më 21 korrik, ka qenë për peshkim në Pogradec. Si “provë”, Balla paraqet një video të postuar në Instagram, duke nxjerë nga liqeni një peshk. Videoja në fakt është ngarkuar në rrjetet sociale në datën 22 korrik, por Balla thotë se e ka postuar atë një ditë më vonë.

Policia dhe Prokuroria

Policia ka qenë në shënjestër të të gjitha akuzave të opozitës dhe të publikut. I pari që e akuzoi për fshehje të ngjarjes ishte ish-kryeministri Sali Berisha. Por, policia thotë se ngjarja është pasqyruar më 22 korrik në njoftimet e saj, por në këtë njoftim vërehet se akuza e vetme që rëndon ndaj djalit të deputetit është ajo e “përndjekjes përmes telefonit” dhe jo ajo e dhunës dhe përdhunimit.

Sa i takon dëshmisë së Emiljano Nuhut, policia i rrëzon duke deklaruar se oficeri nuk ka qenë në detyrë më 21 korrik dhe se në këtë datë në detyrë ka qenë oficeri Gentian Çitozi.

Emiljano Nuhu sfidon si policinë ashtu edhe politikën që të publikojnë kamerat e vëzhgimit të stacionit policor të Fushë-Krujës, publikim që ende nuk është bërë. “Nuk po gjejnë dot ende një laborator që të modifikojnë pamjet e kamerave”, akuzon sërish Nuhu.

Prokuroria nga ana tjetër thotë se e ka marrë dëshminë e vajzës dhe ka hetuar për rastin në fjalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë