Ka ndodhur

Dhunuan shqiptarin me karrige, lihen në burg dy tifozët holandezë

Gazeta Si - Lihen në burg dy tifozët holandezë, të cilët goditën me mjete të forta një shqiptar një ditë para finales së Conference League, Roma-Fejnord.

Gjykata e Tiranës vendosi t’i mbajë në qeli deri në 13 qershor dy të rinjtë, të cilët në zonën e "9-katësheve" u përfshinë në një sherr me 3 shqiptare në një lokal.

Gjatë kësaj periudhe, gjykata vlerësoi se duhet t’i bëhet ekspertiza mjeko- ligjore të dëmtuarit.

Dy holandezët, D.B., 23 vjeç dhe D.H., 21 vjeç, akuzohen për veprën penale “plagosja e rëndë me dashje”.

Dyshohet se në bashkëpunim me disa të tjerë, ende të paidentifikuiar, ata kanë goditur me sende të forta për motive të dobëta shtetasin A.G., i cili ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve.

Arben Grami, avokati i 2 të rinjve holandezë që u përfshinë në sherr, ka thënë se ata janë të pafajshëm, pasi nuk e kanë dhënë ato goditjen vendimtare për të lënduarin.

“Janë thjesht 2 të rinj që kanë kryer veprime shumë normale. Ata janë të shqetësuar dhe janë në pritje të aktit të ekspertimit. Janë shumë të rinj, rreth 21 vjeç. Ata thonë që nuk janë ata që kanë kryer goditjen vendimtare për të dëmtuarin. Thonë se nuk kanë qenë të dehur, por thjesht kishin pirë një birrë. Kanë qenë të ulur në tavolinë dhe më pas janë konfliktuar”, ka thënë Grami.

Para finales së Conference League në Tiranë, tifozeritë e Romës dhe Fejnordit u përfshin në akte dhune ndaj njëri-tjetrit dhe kundër policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë