Ka ndodhur

Dhunon dhe kanos familjarët, arrestohet 21-vjeçari në Kurbin

Policia e Kurbinit ka arrestuar një 21-vjeçar, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit në një familje.

“Shërbimet e Policisë Kurbin dhe Forca e Posaçme ‘Shqiponja’ në DVP Lezhë, pasi kanë marrë njoftimin se në Laç, një person po ushtronte dhunë mbi familjarët dhe po i kanoste ata me thikë, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së shpejtë kanë parandaluar përshkallëzimin e konfliktit që mund të kishte pasoja të rënda”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se është vënë në pranga shtetasi me inicialet A. L., 21 vjeç, banues në Kurbin dhe sekuestrimi i thikës me të cilën ai kanoste familjarët.

21-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për shoqërim, por i ka kundërshtuar ata dhe ka shkatërruar orenditë shtëpiake.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë” dhe “Shkatërrimi i pronës”.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë