Politike

Dhunimi i protestuesve në Zvërnec, Rama: Akt i neveritshëm

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur gjatë protestës në Zvërnec, ku një protestues u dhunua nga persona të angazhuar për sigurinë private të zonës.

Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama iu drejtua qytetarëve që janë revoltuar nga pamjet e incidentit, duke thënë se e kupton reagimin e tyre dhe se do të kishte vepruar njësoj nëse do të ishte në vendin e tyre.

“Dua ta nis me një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që janë revoltuar dhe janë rreshtuar edhe kundër meje personalisht pasi panë aktin e neveritshëm kundër njërit prej protestuesve në Zvërnec. Ju kam dëgjuar e lexuar, ju kuptoj shumë mirë. Ju siguroj që në vendin tuaj edhe unë po njësoj do të revoltohesha dhe do të rreshtohesha kundër qeverisë dhe kryeministrit”, deklaroi Rama.

Ai e cilësoi ngjarjen si të papranueshme, duke kritikuar mënyrën se si personat e sigurisë private vepruan ndaj protestuesit.

Sipas tij, ishte e papranueshme që “disa roje private sigurie” të tërhiqnin me forcë një qytetar përtej gardhit me tela me gjemba, ndërsa policia nuk ndërhyri për t’i arrestuar në vend autorët e dhunës.

Rama u shpreh gjithashtu kritik ndaj reagimit fillestar të Policisë së Shtetit, duke theksuar se dhuna nuk duhej relativizuar dhe se personat përgjegjës duhej të përballeshin menjëherë me ligjin.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur hetimet për incidentin në Zvërnec vijojnë, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë masa administrative dhe penale ndaj personave dhe subjekteve të përfshira në ngjarje.

Në vijim të fjalës së tij, Rama u ndal te akuzat dhe pretendimet që, sipas tij, janë përhapur lidhur me projektin në Zvërnec.

“Ju mirëkuptoj dhe duke pasur parasysh se çfarë ka bërë, do kisha bërë edhe më keq se ju, po të më thoshin se ajo tokë është e shtetit dhe se po ia fal të huajve. Është përhapur me helm edhe legjenda se shteti po ia fal atë tokë Izraelit, për të sjellë palestinezë në Zvërnec”, deklaroi kryeministri.

Sipas Ramës, janë përhapur gjithashtu pretendime se zona ka humbur statusin e mbrojtur dhe se investimi do të dëmtojë biodiversitetin, akuza që ai i konsideroi pjesë të një fushate dezinformimi që ka nxitur zemërim te qytetarët.

Rama tha se ka reflektuar nëse duhet të shpjegojë publikisht të gjitha aspektet e projektit, duke theksuar se përfituesit kryesorë të investimeve të tilla do të jenë brezat e ardhshëm.

“Fëmijët e Shqipërisë do të jenë përfituesit e këtij investimi dhe investimeve të tjera të kësaj natyre”, u shpreh ai.

Rama deklaroi se është i gatshëm të përballet me kritikat politike dhe mediatike për sa kohë që beson te vizioni i tij për zhvillimin e vendit.

“Çfarë më duhet mua karrigia, pushteti, nëse duhet të heq dorë nga vizioni që kam”, theksoi kryeministri.

Kryeministri paralajmëroi se, sipas tij, në mungesë të investimeve të mëdha strategjike, zona të rëndësishme bregdetare mund të përfundojnë në zhvillime të pakontrolluara urbane.

Ai përmendi si shembull rrezikun e krijimit të “Golemit të radhës”, duke argumentuar se aftësia për ta rikthyer Shqipërinë te modele të tilla zhvillimi mbetet ende e pranishme.

Rama tha se Shqipëria duhet të synojë të bëhet pjesë e elitës së turizmit global dhe të tërheqë investime që sjellin vizitorë me fuqi të lartë konsumuese.

“Shqipëria s’është më ajo ku nuk afrohej asnjë investitor, është ajo ku duan të vijnë. Është Shqipëria e 12 milionë turistëve. Do të hyjë tani në elitën e investimeve që sjellin konsumatorë që i lënë paratë këtu”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit, projekti në Zvërnec përfaqëson një investim të jashtëzakonshëm me vlerë 4 miliardë euro, i mbështetur nga partnerë ndërkombëtarë, dhe është pjesë e strategjisë për ta pozicionuar Shqipërinë në nivelin më të lartë të tregut turistik ndërkombëtar.

Në fjalën e tij, Rama pranoi se debatet e ditëve të fundit e kanë prekur personalisht, duke thënë se për herë të parë ka reflektuar edhe për largimin nga politika.

“Janë ditë të habitshme që për herë të parë më kanë bërë të mendoj t’ju përulem thellë dhe të iki në katund, e t’ju lë në duart e atyre që do zgjidhnit”, deklaroi Rama.

Megjithatë, ai tha se ka zgjedhur të vazhdojë misionin e tij politik dhe të përmbushë objektivat për të cilat ka marrë mbështetjen e qytetarëve.

“Kam zgjedhur t’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa e doni edhe ju dhe ta përmbyllim atë që kemi nisur falë votës suaj”, u shpreh kreu i qeverisë.

Rama shtoi se ka vendosur të paraqesë atë që e quajti “ana tjetër e medaljes” së debatit për Zvërnecin, edhe me rrezikun që një pjesë e qytetarëve të mos e besojnë.

“Kur kam hyrë në atë zyrë kam thënë se zyra është e imja, pushteti është i juaji. Nuk kam premtuar se nuk do bëjmë gabime, por kam premtuar një gjë: që nuk do t’ju tradhtoj kurrë”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë