Futboll

Dhuna te femrat, Disiplina përjashton presidentin e Vllaznisë dhe zyrtaren e Tiranës

Gazeta Si – Më në fund ka ardhur sot edhe vendimi i shumëpritur për ndeshjen e futbollit të femrave, Tirana-Vllaznia. Rreth një muaj më parë kjo ndeshje u ndërpre për shkak të dhunës masive në fushë mes dy skuadrave. Një ngjarje e turpshme, ku u përfshinë lojtaret dhe drejtuesit e tyre.

Disiplina ka vendosur që të dënojë të dyja skuadrat me pikë, ndërkohë që janë përjashtuar deri në fund të sezonit presidenti i Vllaznisë, Lazër Matija, si dhe zyrtarja e Tiranës, Ardenisa Aliaj.

Vendimet për Tirana Vllaznia në futboll femrash
Tirana Femra, për mosmarrjen e masave paraprake te sigurisë, duke neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes dhe për pasojë ndërprerjen përfundimtare të saj, dënohet me zbritjen e 3 pikëve në klasifikim.

Vllaznia Femra, për shkaktimin e ndërprerjes së ndeshjes, duke qenë përgjegjëse për aktet e dhunës dhe shkeljen e rregullave themelore të sjelljes së mirë, dënohet me humbjen në tavolinë, me rezultatin 3-0.

Zyrtari i Vllaznia Femra, Lazer Matija (presidenti), për sulm fizik ndaj lojtareve dhe zyrtareve të ekipit kundërshtar, duke shkaktuar akte dhune, dënohet me përjashtim nga aktiviteti për sezonin 2023-2024. Atij i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF.

Zyrtaria e Tirana Femra, Ardenisa Aliaj, për sulm fizik ndaj lojtareve dhe zyrtarëve të ekipit kundërshtar, duke shkaktuar akte dhune, dënohet me përjashtim nga aktiviteti për sezonin 2023-2024. Zyrtares i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF.

Dy vjet dënim për lojtarin e Tomorit
Në dënimet e shumta të Disiplinës bie në sy një dënim i rëndë për dy lojtarë të Tomorit. Njëri prej tyre, Gelando Sharavolli, është dënuar 2 vjet, sepse ka kërcënuar zyrtarët e ndeshjes dhe i ka sulmuar fizikisht ata.

Lojtari i Tomorit, Kostika Beçka, për kërcënime ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 10 ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Lojtari i Tomorit, Gelando Sharavolli, për kërcënime dhe sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 2 vite pezullim nga veprimtaritë.

Vendimet e tjera të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës:
Kukësi, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hyrë në fushën e lojës, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.
Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë dhe fyer tifozerinë kundërshtare, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.
Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke fyer tifozerinë kundërshtare, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.

Lojtari i Vllaznisë, Esin Hakaj, për provokim të spektatorëve, dënohet me 4 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Erzeni, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
Teuta, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.
Lojtari i Besës, Myslim Ramilli, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 4 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Dënimi absurd për Labërinë
Ka edhe një dënim nga ana e Disiplinës për ekipin e Labërisë, që merr pjesë në Kategorinë e dytë. Ky ekip është dënuar me 10 milionë lekë për deklarata fyese dhe diskriminuese. Shifra është shumë e lartë. Nëse nuk ka ndonjë gabim, është absurde, sepse nuk ka ndodhur kurrë më parë që të ketë një dënim të tillë.

Vendimi
Laberia, për publikimin e deklaratave fyese dhe diskriminuese që cënojnë reputacionin e futbollit dhe zyrtarëve të saj, dënohet me gjobë në masën 10.000.000 (dhjetë milionë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/b të KDE, gjoba të aplikohet në masën 20%.
Zyrtari i Laberia, Nikollaq Divia, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 5 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.

Dënimi për Labërinë është dhënë pas postimit në faqen e saj të Facebook-ut të disa deklaratave fyese. Por dyshimet janë, nëse ajo është apo jo faqe e menaxhuar nga ky klub.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë