Njerez

Dhuna seksuale te të miturit, ekspertët: Intervistat bëhen joprofesionale, modeli Barnahus nuk zbatohet

Gazeta Si - Në Shqipëri, nuk zbatohen protokollet e trajtimit në rastet e abuzimit seksual tek të miturit, sipas modelit Barnahus që aplikohet sot në vendet e zhvilluara.

Mungesa e profesionalizmit shton riskun e zgjatjes së traumës tek viktimat gjithë jetën.

Rasti më i fundit i dhunës seksuale ndodhi të enjten (17 nëntor) në Tiranë ku një e mitur 12-vjeçare ra pre e abuzimit të shokut të babait të saj.

Ekspertët ngrenë shqetësimin për mënyrën e intervistimit të së miturës nga organet gjyqësore, duke nisur nga policia, prokuroria dhe seancat gjyqësore.

Ekspertët thonë se intervistat që kryhen në të tilla raste, janë procedura që kërkojnë përfshirjen e një numri të madh profesionistësh, psikologë, sociologë, mjekë, që duhet të jenë pjesë e intervistimit të viktimës së abuzuar seksualisht, sipas protokolleve që aplikohet sot në vendet e Bashkimit Europian.

Barnahus siguron që fëmijët dhe adoleshentët të cilët janë ekspozuar ndaj krimeve seksuale, të marrin vlerësimin, trajtimin dhe përkrahjen e duhur, për të mos iu nënshtruar intervistave të përsëritura nga shumë agjensi në vende të ndryshme.

Modeli Barnahus konsiston në dhënien e një interviste të vetme të viktimës e cila dëgjohet njëkohësisht në 4 dhoma ku janë vendosur profesionistë të tjerë që do të trajtojnë rastin.

“Viktima intervistohet nga psikologu dhe ekspertë të tjerë që mund të jenë nga fusha e gjyqësorit, policë, prokurorë, së bashku me ekspertë të tjerë të shërbimeve sociale, psikologë, sociologë, mjekë, mund të shtojnë pyetje për të miturën e dhunuar, por këto i drejtohen asaj vetëm nëpërmjet psikologes.

Kurse në Shqipëri ndodh e kundërta. E mitura e abuzuar seksualisht intervistohet para prokurorit në seancë gjyqësore, disa herë sipas procesit gjyqësor, pa marrë parasysh traumën e saj”, thonë ekspertët.

“Ne kemi vendosur kontakt me prindin dhe presim të kryejmë një takim për të parë nga afër gjendjen e fëmijës. Por ekspozimi i saj në media është një prej gjërave që nuk duhet të ndodhë pasi e mitura duhet të ishte në vëzhgimin e shërbimeve sociale”, thotë për Gazetasi.al drejtori i qendrës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve Altin Hazizaj.

Hazizaj thotë se modeli Barnahus nevojitet të zbatohet ligjërisht dhe për këtë duhet të ndryshohet kodi i procedurës civile.

Ekspertët thonë se intervistimi në mënyrën jo të duhur dhe mungesa e shërbimeve sociale nga ana e shtetit bëjnë që viktimat të jetojnë gjatë me pasojat e traumës që shkakton dhuna seksuale mbi to.

Sipas tyre, shërbimet e nevojshme, që duhet të jenë të detyrueshme në të tilla raste, siç është asistenca ligjore, trajtimi me terapi tek psikologu, nuk ofrohen nga ministria e Punës Sociale që është ministria përgjegjëse e linjës.

Si pasojë e mungesës së asistencës nga shteti, shumë prej të miturave që dhunohen seksualisht kur rriten zgjedhin rrugën e emigrimit.

Një prej rasteve e cila u bë dhe mediatike, ishte rasti i dhunës seksuale të një 16-vjeçareje në Babrru, autor i krimit seksual ishte roja I shkollës.

Sipas të dhënave të CRCA-së e cila u mor me rastin në fjalë duke ofruar shërbime sociale, viktima mësohet të ketë emigruar në Suedi ku ka kërkuar azil.

“Në pjesën më të madhe të tyre, viktimat e mitura që dhunohen seksualisht, nëse nuk kanë mbështetjen e familjes, të shoqërisë dhe padyshim të shtetit përmes shërbimeve të specializuara, gjë që mungojnë totalisht në vendin tonë, fati i tyre në shumicën e rasteve është dramatik. Ato mund të bëhen pre e abuzimit dhe më vonë, të prostituohen apo të jetojnë me pasojat e traumave duke mos mundur të jetojnë në familje, të bashkëjetojnë. Dhe kjo është për të ardhur keq”, thonë ekspertët për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë