Futboll

Dhuna në stadiume/ Disiplina dënon presidentin e Laçit, 2 vjet pezullim për zyrtarin e Luzit

Gazeta Si – Gjobat janë të zakonshme në futbollin shqiptar. Pas çdo jave komisionet disiplinore marrin masa me gjoba financiare për shumë klube, ndërsa problem shqetësues mbeten edhe drejtuesit e skuadrave. Në vend që të vendosin regull në stadiume, ata shpesh bëhen vetë protagonistë negativë me sjellje antisportive.

Pashk Laska

Për këtë lloj sjelljeje janë dënuar së fundi disa drejtues klubesh. I pari është presidenti Pashk Laska i Laçit, një ekip i Superiores. Ai është dënuar me 5 ndeshje nga Disiplina. Një dënim të rëndë ka marrë zyrtari i Luzit, Arvin Lusha, i pezulluar me 2 vjet, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj arbitrave të ndeshjes.

Vendimet kryesore të Komisionit të Disiplinës dhe Etikës:
Zyrtari i Laçit, Pashk Laska, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktiviteti. I ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF.

Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe hedhur sende në fushë, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.

Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.

Tirana urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në stadiumin “Air Albania” brenda 15 ditëve.

Bylis, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur mjete piroteknike dhe hedhur sende në fushë, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.

Vora, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në drejtim të lojtarëve në fushë, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.

Zyrtari i Luzi Vogël 2008, Arvin Lusha, për sulm fizik ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 2 vite pezullim nga aktiviteti. I ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet, në veprimtaritë sportive të organizuara nga FSHF.

Zyrtari i Luzi Vogël 2008, Arbër Lusha, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 5 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Luzi Vogël 2008, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në terrenin sportiv dhe duke shkaktuar dhunë ndaj zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me zhvillimin e 4 ndeshjeve pa spektatorë dhe në fushë asnjanëse.

Tomori, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.

Burreli, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë, dënohet me gjobë në masën 50.000 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë