Dy drejtuesit e lartë të Kastriotit, presidenti Alban Vogli dhe drejtori teknik Gazmend Vogli, kanë përfunduar në pranga. Policia e Shtetit ka bërë të ditur me një njoftim zyrtar se këta dy persona janë arrestuar në flagrancë, pasi kanë kundërshtuar forcat e rendit dhe kanë bërë veprime të dhunshme gjatë ndeshjes mes Tiranës dhe Kastriotit.
Gjatë ndeshjes në fjalë, kur Tirana shënoi golin e fitores, nga drejtuesit e Kastriotit pati një reagim të fuqishëm me argumentin e mungesës së “fair play”-it nga kundërshtari, pasi një lojtar krutan ishte i shtrirë në fushë. Ndeshja u ndërpre për disa minuta dhe më pas, me ndërhyrjen e policisë, situata u normalizua. Tashmë janë ndaluar personat që kanë shkelur ligjin, ndërkohë që ndëshkime priten edhe nga Komisioni i Disiplinës në FSHF.

Njoftimi i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik” e kryer në bashkëpunim, dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” të kryera në bashkëpunim, të shtetasve:
A.V., 34 vjeç, presidenti i një ekipi futbolli;
G.V., 32 vjeç, drejtor teknik i një ekipi futbolli.
Arrestimi i këtyre dy shtetasve u bë, pasi ditën e djeshme në rrugën “Sulejman Delvina”, te stadiumi “Selman Stërmasi”, gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana–Kastrioti, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë hyrë në fushën e lojës, duke shkaktuar tension dhe ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta dhe më pas kanë goditur dy punonjës policie për të shmangur shoqërimin e tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.