Politike

Dhuna në protesta, Lleshaj: PD përdori armët, ne gazin lotsjellës

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka deklaruar se Policia e Shtetit e ka menaxhuar shumë mirë situatën e protestave të opozitës, edhe pse gjendja ka qenë shumë e tensionuar, deri në rrezikun e jetës së efektivëve.

Duke iu referuar përdorimit të gazit lotsjellës, Lleshaj tha se është zbatuar protokolli i sigurisë sipas ligjit. Ai tha se ndryshe nga koha kur shteti drejtohej nga Sali Berisha, tani përdoret gaz lotsjellës dhe jo armët, si në vitin 2011. Ministri mohoi akuzat se gazi është helmues dhe luftarak.

“Është gaz lotsjellës, jo gaz hemues. Nëse ne nuk do ta përdornim, do ta kishim të vështirë të parandalonim, por ne kemi bërë një shkëputje radikale nga protestat tradicionale, që janë shoqëruar me viktima. Nuk jam ithtar i gazit, është fatkeqësi që e kemi përdorur, por s’kemi pasur rrugë tjetër. Është respektuar me rigorizitet parimi i reciprocitetit”.

Në rastin e incidentit të dhunës me Sekretarin Organizativ të PD, Sahit Dollapi, Lleshaj shtoi se situata mund të ishte menaxhuar më mirë dhe se dhuna ndaj tij mund të ishte kursyer, edhe pse sipas tij, punonjësit e policisë ishin në ushtrim të detyrës.

“Nëse ata kanë përdorur armët, ne kemi përdorur gazin, kemi përdorur gazin e blerë pikërisht nga Lulzim Basha, i cili kur ishte ministër i Brendshëm, qeveria i ka miratuar kërkesën për blerje të gazit që e justifikonte si një shpenzim për të vendosur standarte moderne si vendet perëndimore dhe sot thotë se janë armë luftarake. Këto nuk janë lëndë helmuese dhe luftarake”.

Lleshaj thumboi edhe veprimin e Presidentit Meta, i cili “siç vizitoi në spital Sahit Dollapin, të gjente kohë të vizitonte në spital edhe ndonjë efektiv policie të lënduar në protesta, të paktën për të krijuar balancën”.

Lleshaj, i ftuar në studion e Top Show, zbuloi se “ndërkombëtarët kanë qenë në sallat e vrojtimit pranë policisë dhe kanë monitoruar protestat bashkë me ne”.

“Sipas vlerësimit tim dhe sipas vlerësimit të ekspertëve ndërkombëtarë, menaxhimi nga policia ka qenë i shkëlqyer. Ndërkombëtarët kanë monitoruar protestat bashkë me ne. Misionet ndërkombëtare kanë pasur vlerësim superlativ për policët, të cilët janë prindër, vëllezër, motra që kanë detyrë të ruajnë rendin”, deklaroi Lleshaj.

Ai akuzoi opozitën se ka shpërndarë bombat molotov për protestën e ditës së shtunë, 11 maj. “Molotovi është prodhuar nga njerëz që dinë ta bëjnë dhe është shpërndarë më tej. Pra, kemi të bëjmë me organizim të mirëfilltë, për të cilin nuk kishim dijeni. Janë futur molotov në vendin tonë në mënyrë ilegale, sepse janë futur nën koperturë politike”, theksoi ministri. “Ne pritëm qytetarë në protestë, jo njerëz të armatosur. Kjo është situatë që i kalon të gjitha kufijtë e logjikës”, shtoi Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë