Kosova

Dhuna ndaj Sanduloviç, Konjufca: Ndërkombëtarët të dënojnë këtë akt brutaliteti nga Serbia që është i orientuar drejt Kosovës

Nga Gazeta 'Si'- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, reagoi pasi dhunës brutale të politikanit opozitar serb.

Nikolla Sanduloviç u dhunua një ditë më parë në Serbi pas kishte publikuar një video duke bërë homazhe tek varri i Adem Jasharit në Prekaz. Sot në një postim në rrjete sociale, Konjufca ka dënuar ashpër aktin e shëmtuar të dhunës brutale në Serbi.

“Nga raportimet e mediave dhe deklarimet e familjarëve dhe avokatit mësuam se z. Sanduloviç, i marrë nga policia e shërbimit sekret serb, është mbajtur dhe rrahur nga persona zyrtarë të këtij institucioni shtetëror, e më pas i është bastisur apartamenti. Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radoiçiç, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë, akoma nuk është sqaruar”, shkroi Konjufca. 

Ai thotë se përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si Sanduloviç, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi.

“Duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë z. Sanduloviç, e duke uruar që ai të dalë edhe më i vendosur nga ky sulm i rëndë, i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona. Demokracia matet me elementet brendashtetërore, por edhe me krahasimet me vendet ku ajo tashmë është etabluar rrënjësisht. E në këtë kuptim, reagimi i vendeve demokratike kundrejt këtij akti të rëndë është tepër përcaktues”, shkroi Konjufca.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë