Futboll

Dhuna e Ballshit, Sindikata: E papranueshme, duhet të bashkëpunojmë!

Një ditë pas ngjarjeve të turpshme të Ballshit, ku gjatë ndeshjes Bylis-Laçi pati një sherr masiv mes lojtarëve, ka reaguar edhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë, e drejtuar nga Andi Lila, ish-lojtar i Kombëtares. Përveçse dënon atë akt të turpshëm, kjo sindikatë i bën apel FSHF-së për bashkëpunim, që të minimizohet dhuna.

“Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë dënon fuqimisht aktet e dhunës në ndeshjen Bylis-Laçi prej kujtdo që vijnë ato. Është e papranueshme që fusha të kthehet në arenë dhune, e cila nuk kursen askënd. Sindikata mbështet plotësisht organet e disiplinës së FSHF me masat që do të marrë ndaj të gjithë personave që ishin protagonistë të atyre skenave të shëmtuara të dhunës.

Duke marrë shkas edhe nga ky rast, Sindikata i bën thirrje FSHF-së që menjeherë të nisim bashkëpunimin ndërmjet nesh. Vetëm një bashkëpunim i sinqertë mes të gjithë aktorëve të futbollit, FSHF, Ligës, Sindikatës, shoqata tifozësh, medies etj., do të bëjnë të mundur minimizimin e akteve të të dhunës”, – shkruhet në reagimin e Sindikatës së Futbollistëve.

Reagimi i Sindikatës është i pari deri tani pas atyre nagjarjeve të tuprshme të së shtunës. Ka munguar deri tani qëndrimi i Ligës Profesioniste, FSHF-së apo institucioneve të tjera. Tani fjalën e ka Komisioni i Disiplinës në FSHF, që më shumë se kurrë duhet të jetë i ashpër me ata që ushtrojnë dhunë në fushën e blertë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë