Ndeshjet luhen pa tifozë, por incidentet nuk mungojnë. Të tilla pamje nuk janë marrë nga ndonjë luftë, por gjatë ndeshjes Bylis-Laçi, në “Adush Muça”. Lojtarët e të dyja skuadrave kanë qëlluar me grushte e shkelma njëri tjetrin, ndërkohë që dhunës nuk i ka shpëtuar as Bekim Kuli, asistent/trajneri i Bylis.
Gjithçka nisi në minutën e 63-të me ndëshkimin e Kiryan Nwabuze me të kuq dhe në afërsi të tribunës ka nisur konflikti. Teksa takimi ishte mbërthyer në barazim pa gola, në një moment tensioni mes të dy skuadrave, ishte sulmuesi kurbinas Kyrian Nwabueze ai që goditi me grusht një nga kundërshtarët, ndërsa për pak sekonda fusha e futbollit u shndërrua në një arenë boksi, pasi u përfshinë në sherr lojtarë të të dy skuadrave, bashkë me pankinat respektive. Arbitri u mundua të vendosë rregull, pasi ra tensioni dhe largoi nga fusha e lojës sulmuesin Nwabueze e mesfushorin Xhoi Carkanji.
Vetëm pak minuta pas rifillimit të ndeshjes, ishte mbrojtësi Renato Malota që shënoi golin e avantazhit për Laçin. Në fund, pas 12-të minutash shtesë, Laçi merr një fitore të hidhur, pasi skenat që na kthyen shumë vite pas, pritet të kenë pasoje të rënda dhe dënime shembullore nga Komisioni i Disiplinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.