Ngjarje

Video/ Dhjetëra të arrestuar në fermën e kanabisit në Berat. Punëtoret flinin në serë dhe paguheshin 50 mijë lekë dita

Gazeta Si - Njëmbëdhjetë persona janë arrestuar nga policia për fermën gjigande të kanabisit në Berat, ku u evidentuan 3 sera në të cilat kultivohej dhe ambalozhej lënda narkotike.

Drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, deklaroi se të arrestuarit dyshohet se janë organizatorë të këtij aktiviteti kriminal.

Të arrestuarit janë: H. D., 36 vjeç (pronari i tokës ku ishin vendosur serat), E. Xh., 30 vjeç, B. Xh., 42 vjeç, S. L., 22 vjeç, J. U., 23 vjeç, M. D., 24 vjeç, S. B., 27 vjeç, B. M., 48 vjeç dhe E. M., 20 vjeç.

Gjithashtu janë arrestuar edhe dy prej grave që punonin në sera, nënë e bijë: D.M., 43 vjeçe dhe I.M., 25 vjeç.

Të arrestuarit, dyshohet se ishin roje, të cilën ruanin me armë serën me kanabis, ndërsa gratë e shoqëruara në polici, kanë treguar se flinin aty dhe paguheshin 50 mijë lekë dita.

Në brendësi të serave u gjetën dhe sekuestruan 700 arka të mbushura me kanabis në proces përpunimi, si dhe 8 thasë me boçe kanabisi me peshë 870 kg kanabis. "Kjo fermë kanabisi funksiononte prej 1 muaji", theksoi Neritan Nallbati, drejtori i Policisë Kriminale.

Të arrestuarit janë nga fshati Drenovicë, Ishëm, Lezha, Kopliku, Nikla, Kamëz, Tiranë,  ndërsa në kërkim është shpallur dhe një 19-vjeçar.

Brenda serave punonin gra nga zonat periferike të Tiranës, kryesisht nga Kamza. Bëhet fjalë për 95 gra të cilat u shoqëruan nga policia, të cilat tashmë janë të lënë të lira dhe po hetohen në gjendje të lirë.

Ato u kapën duke u kujdesur dhe pastruar bimë narkotike kanabis sativa të kultivuara në sera në fshatin Drenovicë.

Kur forcat e policisë së Shtetit ndërhynë i gjetën në proces pune. Punëtoret zakonisht flinin aty dhe nuk shkonin në banesë.

I gjithë aktiviteti i ditës kryhej në serë. Në të gjithë fermën ishin 3 sera ku kultiviohej dhe përpunohej kanabis. Në rrugë jo zyrtare, msohet se punëtoret paguheshin rreth 50 mijë lekë të vjetra në ditë.

Lënda narkotike e thare vinte me furgon, punëtorët e pastronin dhe paketonin dhe furgoni e largonte.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi edhe 3 armë; 2 pistoleta dhe 1 kallashnikov, cilat i posedonin shtetasit e arrestuar, B. Xh., H. D. dhe J. U.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë