Rend dhe Ligj

Serat me kanabis / Nën hetim Policia e Beratit, dyshohet se kishte dijeni

Gazeta Si - Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për serën me kanabis të zbuluar në Rërëz të njësisë administrative Kutalli, në Berat, pak ditë më parë.

Sipas burimeve paraprake, mësohet se AMP ka nisur marrjen në pyetje të efektivëve të policisë, pasi ka dyshime se kanë pasur dijeni se në sera përpunohej kanabisi dhe nuk e kanë raportuar aktivitetin kriminal tek drejtuesit e tyre.

Pas këtyre hetimeve, pritet që në pyetje të merret zinxhiri komandues i policisë së Beratit, si dhe specialistët e policëve të zonës ku ndodheshin serat.

Hetimi konsiston nëse policia ka pasur informacione të mëparshme në lidhje me këtë veprimtari.

Serat me lëndë narkotike u zbuluan nga policia në datën 10 Nëntor, gjatë operacionit të koduar “Stuhia”. Policia gjeti dhe sekuestroi brenda këtyre serave 8 thasë me boçe kanabisi me peshë 871 kilogramë dhe 700 arka të mbushura me kanabis në proces tharje.

11 persona u arrestuan nga policia gjatë aksionit, të cilët dyshohen si organizatorë të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjykata e e Beratit dha masën e sigurisë "arrest me burg" për të 11 të dyshuarit, ku 4 prej tyre ishin anëtarë të një familjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë