Ekspozite

Dhjetë ndalesat më pikante të Bienales së Venecias

Edicioni i 58-të i Bienales së Venecias, i çelur këtë fundjavë, shfaq 90 pavijone dhe një ekspozitë, kuruar nga Ralph Rugoff, titulluar “May You Live in Interesting Times” , që në shqip do të përkthehej “Jetofshi në kohë interesante!” e që merr mallkimin kinez si pikë fillese për një shfaqje me artistë që po ndryshojnë botën në një kohë me trazira politike. Por alegoria e kësaj vere do të jetë “Nëse një pavijon ka një radhë të gjatë, ia vlen pritja!” Sipas Rugoff,  “ndoshta arti, në mënyrë indirekte mund të kthehet në një guidë se si të jetojmë e të mendojmë”.

Bienalja, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 24 nëntor, në Giardini dhe Arsenale të Venecias dhe në 21 sheshe nëpër qytetin pluskues, është më shumë sesa një thirrje dhe përgjigje ndaj ciklit të lajmeve të përditshme. Ky edicion i 2019-s është i mbushur me protesta vallëzimi, video art i çuditshëm, një aplikacion për ndryshimin klimaterik dhe një shpellë e bërë prej floku sintetik. Ja disa nga veprat më të zhurmshme të artit, nga Islanda, Tajvani, Brazili dhe...Shqipëria e cila këtë vit përfaqësohet me Driant Zenelin dhe parabolën e tij artistike të minierës së Bulqizës.

Pamje e instalacionit të Kromo Sapiens nga Shoplifter, në pavijonin islandez në Ekspozitën e 58-të Ndërkombëtare të Artit – Bienalja e Venecias, 2019. Elisabet Davidsdottir © Hrafnhildur Arnardóttir/Shoplifter

Kromo sapiensi në pavijonin e Islandës  

Shoplifter, a.k.a. Hrafnhildur Arnardóttir, njihet për bashkëpunimet e saj me këngëtaren Björk, por është gjithashtu e njohur për instalacionet gjigande të gëzofta, me flokë sintetikë. Jo e zakonshmja floknajë brune dhe bionde, por e gjelbër  fosforeshente, blu pastel dhe rozë e ndezur që hijeshon muret e instalacioneve të saj të ngjashme me shpellat vullkanike. Kjo vepër është e vendosur në magazinën e ishullit Giudeca, ka një cilësi të ngjashme me mitrën. i tërheq vizitorët nga terri drejt dritës. i thyen edhe rregullat “Mos prek artin” gjithashtu, ndërsa vizitorët inkurajohen të përqafojnë hejet që varen nga tavani.

Pamje nga instalacioni  “Sun & Sea (Marina)” në pavijonin lituanez të Bienales së Venevias, 2019.

Plazhistët operistikë të Lituanisë që i këndojnë ndryshimit klimaterik

Fituesi i Luanit të Artë të Venecias për pjesëmarrjen kombëtare gjendet  pranë Arsenale-s në një tjetër ish vendndodhje të marinës, të rrëmbyer tashmë nga tre artistët lituanë: Rugilė Barzdžiukaitė, Vaiva Grainytė dhe Lina Lapelytė.  Me ndihmën e 35 ton rëre lituane, ata e shndërruan sheshin në një plazh të stisur për Sun & Sea (Marina),  një pjesë performance e realizuar nga “plazhistë” që këndojnë një opera rreth ndryshimeve klimetarike. Është hera e dytë që çmimi i shkon një pjesë performuese. Më 2017-n, fituesi ishte pavijoni gjerman për “Faustin” magjepsës të Anne Imhof-it. Kuratorja e pavijonit lituan, Lucia Pietroiusti, e cila është edhe kuratore e programeve të ekologjisë në galerinë Serpentine të Londrës, ka thënë se kjo pjesë nisi si një performancë pak më e gjatë teatri në lituanisht. Ajo i inkurajoi muzetë të mendonin jashtë kornizave., “Formati i ekspozitave po lutet për një lloj hapjesh të mundësive”, tha ajo. “Ne specializohemi aq shumë, krijojmë këto pjesë specialiteti. Pastaj hasim këto situata të mëdha katastrofike si ndryshimi klimaterik apo zhdukjen e specieve dhe kemi nevojë të gjejmë mënyra  të reja për t’u lidhur”.

Sekuencë nga instalacioni “Albumi i Bardhë” i artistit amerikan Arthur Jafa në Bienalen e Venecias

Arthur Jafa,  Luani i Artë i Venecias

Një tjetër çmim i madh “Luani i Artë” për pjesëmarrësin më të mirë në ekspozitën qendrore të Bienales, i shkoi artistit dhe kineastit amerikanArthur Jafa.  Ai shfaqi një film 50 minutësh, titulluar “Albumi i Bardhë” në të cilin pranëvendos manifeste të epërsisë së bardhë me portrete të njerëzve të bardhë, të cilët i do dhe i ka pranë. Ai shfaqi edhe një seri skulpturash monumentale me gomave  traktorësh në zinxhirë.

Të lëvizëshsë prapthi , nga Pauline Boudry dhe Renate Lorenz në pavijonin zviceran në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit – Bienalja e Venecias, 2019. Kortezi e artistët: Foto Annik Wetter.

Në pavijonin zviceran lëvizet së prapthi

Protestat e vallëzimit me video art është potencialisht projekti më gumëzhitës i bienales. Të lëvizësh mbrapsht, që i bën valltarët të lëvizin për të kapur ritmet dhe teknon në kah të kundërt, mund të kthehet në trendin e së ardhmes. Kuptimi më i thellë? Simbolizon rezistencën kundër politikave regresive. Letra e artistëve për shikuesit në mur i pyet të gjithë: “A ndiheni ndonjëherë sikur po detyroheni masivisht për të ecur mbrapsht?” Valltarët në video janë të veshur me kapele, pantallona me temina dhe funde, duke tërhequr vëmendjen e vizibilitetit jo binar. Kjo vepër lidhet me teoricienin queer José Esteban Muñoz, i cili është shprehur se e tashmja është një “shtëpi burg”. Lëvizja pas është rryma e re e lëvizjes përpara, ose “ e anasjella”, thonë artistët.

Sekuencë  nga Casanova X, video 4K, 10’00’’, nga seria filmike për instilacionin “3x3x6,” nga Shu Lea Cheang.

Një qeli burgu në pavijonin e Tajvanit  

Pionieri i artit të internetit Shu Lea Cheang punon në realitetin digjital që përpara  se të lindnin shumë prej gjeneratës së “Mijëvjeçarëve” ( në fillim të viteve ’90). Tani, ajo sjell një aplikacion dhe një ekspozitë të titulluar“3x3x6”, duke iu referuar përmasave të një qelie burgu. Ekspozita e saj, që është në Palazzo delle Prigioni ( një burg i shekullit 16) komenton në shtetin aktual të vëzhgimit dhe rreziqet e njohjes së fytyrës dhe celularëve inteligjentë. Në 10 filma të shkurtër, ajo paraqet raste ligjore ku njerëzit janë burgosur për shkak të mos konformizmit gjinor apo racial. Artistja thotë se filmat mbajnë qëndrim për “dinjitetin vetë afirmues kundër shtypjes”.

Sekuencë nga aplikacioni “Rising” i Marina Abramović

“Lindja” e Marina Abramović në at Ca’ Rezzonico

Kumbara e artit performues po flet me gjuhën më të përhapur digjitale: video-lojërat. Në galerinë Ca’ Rezzonico, artistja tërheq vëmendje në nivelet e baticave me ekspozitën e fundit dhe aplikacionin “Rising”. Futuni në një palë syze dhe kufje VR për të ndjekur artisten e shndërruar në avatar në skenarin prej video-loje; ajo është një personazh që ka nevojë të shpëtohet nga mbytje në një cisternë të qelqtë në Arktik, rrethuar nga kube akulli që shkrijnë. Vetëm bëmat e mira në ndihmë të mjedisit mund ta shpëtojnë atë nga dëshpërimi. Fotot e procesit të realizimit të aplikacionit janë gjithashtu të ekspozuara, po ashtu edhe videot shoqëruar me komente.

Sekuencë nga Swinguerra, 2019, nga Bárbara Wagner dhe Benjamin de Burca, në pavijonin brazilian në Bienalen e Venecias, 2019. Foto: Riçardo Tosetto. Kortezi e Fundação Bienal de São Paulo.

Lufta e valleve  në pavijonin e Brazilit

Megjithëse Brazili është në sundim konservator, pavijoni i tij është gjithçka tjetër veç konservator. Videoja kremton swinguerra-n, një fenomen vallëzimi në qytetin e Recife-s, ku grupe të rinjsh luftojnë në një konkurs të përvitshëm vallëzimi. Del si një video muzikore me koreografi, por swinguerra është gjithashtu një sport garues. Duke shkrirë hip-hopin me sambën, është një komunitet përfshirës, i nëndheshëm me valltarë jo-binarë. Kuratori, Gabriel Perez-Barreiro thotë se kjo video është në thelbin e “debatet mbi vizibilitetin, të drejtat ligjore dhe vetë-përfaqësimin” e vendit.

Ndërtimi i Urave, nga Lorenzo Quinn, Andrea Bocelli dhe Lola Astanova, në edicionin e 58-të të Bienales së Venecias, 2019.

Djali i Anthony Quinn ndërton ura në Arsenale

Pas suksesit të tij në Bienalen e fundit të Venecias, artisti Lorenzo Quinn ( i biri i aktorit meksikano-amerikan Anthony Quinn) është kthyer me gjashtë palë duar monumentalë në Arsenale, në dokun lundrues, për një instalcionin të titulluar “Ndërtimi i urave”. Secila palë e duarve të përkthyera ka një simbol të ndryshëm që përfaqëson vlerën njerëzore, nga miqësia tek shpresa dhe besimi. Duart prej rrëshire artificiale janë 15 metra të larta dhe Andrea Bocelli ngriti grushtin bashkë me artistin në zbulimin e veprës, javën e shkuar. Frymëzimi i Quinn-it ishte “kapërcimi i dallimeve dhe ndërtimi i një bote më të mirë”.

Pamje e instalacionit Elefanti në Dhomë, 2019 nga John Akomfrah, në Bienalen e Venecias, 2019. Foto: David Levene.

Liria e Ganë në Venecia

Kurrë në historinë 124 vjeçare të Bienales së Venecias Gana nuk ka pasur një pavijon, deri tani. Për ekspozitën përuruese, arkitekti ganez-britanik David Adjaye ka skicuar gjashtë dhoma rrethore me mure të mbuluar me baltë nga Gana. Gjashtë artistët janë të ekspozuar si pjesë e “Lirisë së Ganës”, që e merr emrin nga një këngë e 1960-s, së E.T. Mensah, shkruar pasi vendi fitoi lirinë më 1957-n. Veprat përfshijnë portrete nga piktorja Lynette Boakye-Yiadom, foto nga Felicia Abban; dhe video me tre kanale nga John Akomfrah, që kombinojnë një material nga periferia e Ganës me momentet historike në politikën afrikane. Gana është i teti shtet afrikan që merr pjesë në Bienalen e Venecias. Edhe Mozambiku merr pjesë për herë të parë më 2019-n.


Sekuencë nga instalacioni “Maybe dhe Cosmos is not so extraordinary”, të artistit shqiptar Driant Zeneli, në Bienalen e Venecias, 2019.

Miniera e Bulqizës në kozmosin e artit ndërkombëtar

Në këtë edicion të 58-të, Shqipëria përfaqësohet me artistin Driant Zeneli me video-instalacionin “Maybe dhe Cosmos is not so extraordinary”, kuruar nga Alicia Knock. Ceremonia u çel nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, sipas së cilës është e bukur që Shqipëria prezantohet në këtë kozmos artistik me një vepër që lind në Bulqizë dhe tejkalon kufijtë lokalë, për të përcjellë një mesazh shumë më universal. “I bashkohemi kësaj bienaljeje me një thyerje dimensionesh, duke sjellë histori të vogla, nga qytete të vogla e duke i kthyer në art bashkëkohor dhe në dimensionin e së bukurës. Jemi të ndërgjegjshëm që arti i tij sjell edhe një polemikë, mbi të cilën do të doja të reflektonim dhe të diskutonim”, do të shprehej ministrja Margatiti.

Të pranishëm në çeljen e pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias, 2019.

 Kuratorja Alicia Knock u shpreh se vepra e Zenelit shpreh sesi ëndrrat mund të bëhen realitet. “Vepra e Driantit flet për një realitet specifik të Shqipërisë, të Bulqizës, të kromit, që udhëton nga zemra e malit drejt kozmosit”, thotë Knock, teksa përshkruan një udhëtim gjeopolitik, ekonomik, industrial, në veprën e Zenelit. “Ky kozmos nuk është ndërtuar vetëm nga unë, por shumë persona që kemi punuar për një vit për të realizuar këtë vepër, duke filluar nga këta 5 heronj që janë protagonistë të veprës. Vepra ime u dedikohet të gjithë atyre që besojnë në ëndrra dhe kërkojnë çdo ditë të shtyjnë limitet e tyre”, u shpreh artisti Driant Zeneli. Në ceremoninë e çeljes së pavijonit shqiptar të pranishëm ishin edhe artistë te njohur si Anri Sala, i pari shqiptar në Bienalen e Venecias, ku ka përfaqësuar vite më parë Francën, Adrian Paci, Edi Muka, Alban Muja, Anila Rubiku e shumë të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë