Futboll

Dhimbje koke për Spallettin, anësori italian Udogies humbet Euro 2024

Probleme për Luciano Spallettin. Trajneri i kombëtares italiane nuk mund të bazohet te shërbimet e Destiny Udogies në Euro 2024.

Anësori i majtë, pjesë e Tottenhamit në Premier League, ka pësuar një dëmtim dhe ka mbyllur sezonin. Duke humbur pjesëmarrjen në Europianin e Gjermanisë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, 21-vjeçari ka lajmëruar mbylljen e sezonit si pasojë e operacionit që u detyrua të kryente, duke mos specifikuar problemin fizik.

“Planet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti. Një dëmtim i dha fund me herët sezonit tim. Por kjo situatë nuk e zbeh aspak mirënjohjen që kam ndaj çdo personi që më ka mbështetur këtë vit”, shkruan Udogie.

Lojtari është një risitë e Spallettit në kombëtaren e kaltër. Udogie debutoi me Italinë në tetorin e vitit të kaluar. Dhe deri tani numëron 3 ndeshje.

Pikërisht Italia do të jetë kundërshtari i parë i Shqipërisë në Euro 2024, teksa në grupin B bëjnë pjesë edhe Kroacia e Spanja. Kuqezinjtë e Sylvinhos do të përballen në Dortmund me skuadrën e Spallettit, në datën 15 qershor (Signal Iduna Park)./ Supersport


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë