Lajme

Dhërmi: Në lokalin e sherrit ishin edhe dy ministra

Në diskon “Havana”, në Dhërmi, një konflikt mes të rinjve përfundoi me të shtëna arme. Pas të shtënave me armë, personat që ndodheshin në brendësi të lokalit janë larguar të terrorizuar dhe të tmerruar.

Dihet  që është nga lokalet që frekuentohet edhe nga personazhet e njohur, ndër ta ndodheshin dhe dy ministra të qeverisë Rama pak para ngjarjes.

Arrestimi

Disa orë pas ngjarjes, Policia ka bërë të ditur se ka arrestuar Emiljano Ninën, 23 vjeç, banues në Tiranë, si autorin e të shtënave, duke saktësuar se ka qëlluar në ajër me pistoletë, katër herë. 23-vjeçari u kap nga efektivët e Komisariatit të Himarës, ndërsa lidhur me shkakun e konfliktit, sipas Policisë ka nisur për shkak të një konflikti të hershëm mes tij dhe një personi tjetër në momentin e përballjes në disko “Havana”. Zyrtarisht, nga ana tjetër nuk bëhet i ditur identiteti dhe as inicialet e personit, me të cilin është konfliktuar i arrestuari.

Hetimet

Nga hetimet e policisë konfirmohet se Nina ka qëlluar katër herë në ajër me një armë tip “pistoletë”, të cilën e mbante me vete edhe në momentin kur ka hyrë në ambietet e lokalit. Sipas asaj që konfirmohet nga blutë, mësohet se autori Nina dhe një tjetër person kishin pasur një konflikt të hershëm mes tyre dhe grindja nuk ka lindur në ambientet e diskos.

Autori dhe personi tjetër kishin njohje me njëri-tjetrin. Personi i paidentifikuar i ka kërkuar llogari Emiljano Ninës për shikimet e shpeshta që i hidhte të dashurës së tij. Kaq ka mjaftuar që mes dy grupeve, që ishin ndarë në dy tavolina, të niste një përleshje fizike, ku nuk munguan as goditje me karrige në drejtim të njëri-tjetrit apo edhe shishe.

Sipas Policisë, Nina e kishte ngacmuar edhe kohë më parë vajzën, ndërsa në ambientet e lokalit është përplasur me të dashurin e saj, duke nisur edhe grindjen e përgjakshme. Pikërisht pas debateve, sipas Policisë, Nina ka qëlluar katër herë në ajër me pistoletë dhe më pas është larguar nga lokali.

I riu u kap vetëm pak minuta pas ngjarjes, pasi nuk ishte larguar nga lokali ku ka ndodhur përleshja dhe të shtënat me armë. Në momentin e ndalimit, atij iu sekuestrua dhe arma me të cilën dyshohet se ka qëlluar në ajër. Emiljano Nina akuzohet tashmë për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municioneve” dhe “Prishja e qetësisë publike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë