Jete & Stil

Detergjentët shkaktojnë astmë te foshnjat e vogla

Një studim i fundit tregon se produktet me të cilat pastroni shtëpitë mund të shkaktojnë astmë tek fëmijët tuaj. Studimi me 2000 foshnje të vogla tregoi se prindërit e atyre që kishin përdorur në shtëpi detergjentë për larjen e enëve, larjen e rrobave dhe dyshemeve, fëmijët kishin më shumë gjasa të diagnostikoheshin me astmë në moshën tre vjeç.
Mendohet se pastrimi me kimikate mund të dëmtojë rrugët e frymëmarrjes së foshnjave të vogla, nëse ato ekspozohen shpesh ndaj këtyre produkteve. Kjo gjë mund të çojë në një reagim inflamator në traktin respirator.
Pasi ekspertët kanë vite që paralajmërojnë sëmundjen e astmës nga ndotja e ajrit, tashmë ata janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar edhe për detergjentet dhe ndotësit e tjerë që kemi nëpër shtëpi.

Hulumtimi i fundit është udhëhequr nga shkencëtaret e universitetit Simon Fraser në Vankuver, në 2.022 familje. Gjatë hulumtimit kryesisht nënat u pyetën se sa shpesh përdornin detergjentet për të pastruar shtëpinë dhe 90 për qind e tyre pohoi se i përdornin çdo ditë.
Studiuesit monitoruan fëmijët për 3 vjet duke kryer testin e astmës për çdo vit dhe rezultoi se fëmijët që kishin qenë më të ekspozuar ndaj detergjenteve kishin më shumë gjasa të kishin astmë.
Udhëheqësi i studimit Tim Takaro tha se studimi tregoi se foshnjat e vogla janë më të ndjeshëm ndaj këtyre detergjenteve për shkak se ata janë më afër me detergjentet dhe shtëpinë.
Ndërsa bashkëautori i studimit Jaclyn Parks tha se prindërit duhet të lexojnë etiketat e produkteve dhe të zgjedhin ato që përmbajnë sa më pak kimikate të dëmshme.
Sipas ekspertëve, studimi është një shqetësim për shëndetin publik dhe paralajmërojnë që edhe produktet që mbajnë etiketën se janë miqësore me mjedisin, mund të përmbajnë substanca të dëmshme. /Daily Mail/

Më Shumë