Lajme

Detaje të reja mbi dëshmitarin e PD, Veliu me ndihmë ekonomike, u ekstradua nga Italia në 2013

Mësohet se dëshmitari në audio-përgjimin e publikuar nga PD, Albert Eqerem Veliu, deri pak ditë më parë ka banuar në lagjen "Topana" në Vlorë.

Sipas banorëve të zonës, që pas publikimit të audio-përgjimit nga Partia Demokratike, 51 vjeçari dhe familja e tij nuk janë parë në banesë.

Në vitin 2016 Bashkia e Vlorës e kishte përfshirë familjen e Albert Veliut në skemën e ndihmës financiare për shkak të problemeve të theksuara ekonomike si pasojë e papunësisë së kryefamiljarit dhe kjo ndihmë vijon të jepet edhe këtë vit.

Pas arrestimit dhe dënimit në Itali, Albert Veliu është ekstraduar nga Interpol Roma në 16 gusht 2013.

51 vjecari ka vuajtur tri vite dënim në burgun e Peqinit pasi ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Vlorës për trafik të mjeteve motorike.

Njoftimi i policisë, 16 gusht 2013: Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, më datën 14.08.2013, kreu ekstradimin nga Roma/Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Albert Eqerem Veliu, vjeç 46, lindur në Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr. 143, datë 05.05.2008, e ka dënuar me 3 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të trafikimit të mjeteve motorike, parashikuar nga neni 141/a/1 i Kodit Penal.

Më datë 19.01.2006 policia rrugore ka bllokuar mjetin tip Volskëagen Golf, me targa JD15805. Pas hetimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi Albert Veliu, duke falsifikuar lejen e qarkullimit të automjetit të mësipërm, e ka futur atë në Shqipëri dhe ia ka shitur shtetasit Erion H.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, ky shtetas është arrestuar në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

51-vjeçari Albert Veliu në videon e publikuar nga PD deklaroi se ka vuajtur dënimin prej 7 vitesh burg në Pescara të Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë