Lajme

Dështon sërish pretenca për Shullazin

Dështon sërish pretenca për Emiljano Shullazin dhe bashkëpunëtorët e tij. Arsyeja ka qenë kërkesa e Blerim Shullazit. Ai ka deklaruar se është sëmurë dhe ka kërkuar shtyrje të seancës. Kjo ka bërë që trupa e prokurorëve e drejtuar nga kreu i këtij institucioni Donika Prela dhe nga Besnik Muçi, Anton Martini dhe Gentian Osmani të vendosin për të shtyrë seancën për dhënien e pretencës për javën tjetër, më 2 tetor.

Para nisjes së seancës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kishte masa të pazakonta sigurie.  Forcat RENEA dhe FNSH blinduan institucionin.

Dosja e bujshme e Shullazit shkaktoi tension dhe kaos në Prokurorinë e Përgjithshme dhe atë të Krimeve të Rënda.

Kryeprokurorja Arta Marku bëri lëvizje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe kërkoi hetim disiplinor për disa prej prokurorëve pasi nuk pranonin të merrnin përsipër çështjen. Vendimi u kundërshtua nga prokurorët, që tentuan të futen me forcë në zyrën e drejtueses së Krimeve të Rënda. Vala e largimeve përfshiu edhe Sokol Stojanin për shkak se ai nuk pranoi të hetonte prokurorët rebelë që nuk pranuan dosjen Shullazi.  Por, pas debateve u vendos dhe katërshja e tyre.

Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel "Vollgën" në Durrës. Shullazi rrezikon deri në 15 vite burg për akuzat, po ashtu edhe anëtarët e bandës; Gilmando Dani, Besmir Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë