Futboll

Dështon marrëveshja, Princi saudit heq dorë nga blerja e Newcastle

Konsorciumi saudit, që përfshin Princin e Kurorës, Mohamed bin Salman, që kishte paraqitur një ofertë për një vlerë rreth 300 milion paund për blerjen e Newcastle, ka vendosur të tërhiqet: klubi, tani për tani, mbetet në duart e pronarit aktual Mike Ashley. Fondi i Investimeve Publike Saudite (PIF) do të blinte 80% të klubit në veri-lindje të Anglisë, ndërsa fondi i vëllezërve Reuben dhe Amanda Staveley do të ndanin 20% të mbetura në mënyrë të barabartë, por operacioni dështoi për shkak të problemeve që lidhen me negociatat dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

"Me vlerësim të madh për komunitetin e Newcastle dhe për rëndësinë e ekipit të futbollit, ne kemi marrë vendim të tërheqim interesimin për blerjen e klubit të futbollit Newcastle United’’- thuhet në njoftimin e investitorëve.

Ky operacion ishte kritikuar edhe nga Amnesty International. Ata i kishin drejtuar një letër Premier League duke i bërë të qartë se “rrezikon të kthehet në një kampionat të pavlerë ” nëse nuk heton të dhënat lidhur me të drejtat e njeriut në Arabinë Saudite përsa i përket procesit të blerjes së Newcastle. Edhe bashkëshortja e gazetarit Jamal Khashoggi, i cili u zhduk më 2 tetor, ditën kur hyri në konsullatën saudite në Stamboll për të mos dalë më që andej, ka publikuar një letër ku i kërkonte drejtuesve të Premier League që të ndërprisnin negociatat për shitjen e Newcastle te princi Mohammed Bin Salman, me pretendimin se përfundimi i marrëveshjes do të dëmtonte futbollin anglez dhe do ta bënte bashkëpunëtorë në “mbulimin” e vrasjes së gazetarit.

Mohammed Bin Salman do të synojë të marrë një tjetër skuadër evropiane, pasi ai është i vendosur të investojë në futboll. Një hipotezë është edhe blerja e Romës, por deri tani nuk ka ende tratativa zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë