Futboll

Dëshpërimi i Xhakës: Mëkat që na ndodhi në këtë finale, Atalanta e meritoi

Granit Xhaka humbi një tjetër finale të Europa League-s, pas asaj të 2019, 4-1 përballë Chelsea-t, kur ishte pjesë e Arsenalit. Futbollisti shqiptar, në finalen që Levekuseni humbi përballë Atalantës ishte poshtë atij standardi që kishte ofruar përgjatë këtij sezoni. Jo vetëm Xhaka, por e gjithë skuadra e “Aspirinave” ishte në një mbrëmje të errët.

Xhaka gaboi disa pasime përpara, në kohën shtesë të pjesës së parë goditi jashtë, paksa në mënyrë të dëshpëruar, kur pasimi do të ishte opsioni më i mirë dhe më i zgjuar. Plus, metoda e tij e ndërhyrjes ndaj Ademola Lookmanit te goli i dytë i nigerianit nuk funksionoi.

Vijat që rrudhosin ballin e tij pikturojnë tablonë e një lojtari që është shumë i zhgënjyer për atë që ndodhi. Pas finales së Europa League-s, që solli edhe humbjen e parë sezonale të Bayer Levekusenit, pas 51 ndeshjesh radhazi si e pamposhtur, kishte patjetër dëshpërim:

“Për fat të keq, humbëm një finale të rëndësishme, e kishim thënë se do të ishte një ndeshje e vështirë. Është mëkat i madh që gjërat nuk funksionuan te ne pikërisht në këtë finale. Deri në këtë ndeshje kishim lënë përshtypje shumë të mira. Fakti që nuk ishim në gjendje të bënim atë që zakonisht bëjmë aq mirë është pjesë e lojës së futbollit, duhet ta pranojmë realitetin.

Kam pak fjalë për të thënë, Atalanta e meritoi të fitonte, sepse luajti shumë mirë. Duhet të shohim përpara, sepse kemi një tjetër finale për ta luajtur (atë të Kupës së Gjermanisë). Asgjë nuk funksionoi për ne këtë mbrëmje. Është mëkat që na ndodhi pikërisht në finalen e Ligës së Europës, por duhet të shohim përpara”. /Supersport


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë