Pas dëshmisë në Prokurorinë e Tiranës, Dëshmitari X i PD, Albert Veliu do të dëshmojë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Albert Veliu ka shkuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda i shoqëruar nga avokati Artan Murrizi dhe Ivi Kaso.
Mësohet se më herët, Albert Veliu ka qenë në selinë e PD, ku ka takuar Ervin Salianjin dhe Ivi Kason.
Albert Veliu do të pyetet rreth audio-përgjimit të publikuar nga PD, në të cilën selia blu akuzon vëllanë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj për trafik droge.
Ndërsa dëshmia e Albert Veliut në Prokurorinë e Tiranës u bë pas kallëzimit të Agron Xhafajt.
Një ditë më parë, Albert Veliu deklaroi se është reale biseda me Agron Xhafajn që përmban audio-përgjimi i publikuar nga PD, por nuk është ai që e ka kryer përgjimin e tij.
Edhe deputeti demokrat, Enkeljed Alibeaj deklaroi mbrëmjen e djeshme se përgjimi nuk është kryer nga dëshmitari Albert Veliu, por nga gazetarë.
Në lidhje me audio-përgjimin, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thirrur të hënën në orën 10:00 tre zyrtarët e PD, Enkelejd Alibeaj, Ervin Salianji dhe këshilltarin ligjor Gazmend Bardhi për të dëshmuar, pasi të enjten nuk u paraqitën për shkak tyë seancës plenare.
Më herët, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka zhvilluar një takim me kryeprokuroren Donika Prela edhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.