Para

Deri 100 mijë lek në muaj për familjarët e viktimave të tërmetit

Pensionistët që kanë humbur disa pjesëtarë të familjes gjatë tërmetit të 26 nëntorit do të përfitojnë një pagesë të përhershme mujore 60 mijë lekë nga qeveria.

Në rastin se këta pensionistë kanë humbur krejt familjen gjatë tërmetit, do të përfitojnë pagesë mujore të përhershme 100 mijë lekë. Edhe personat që kanë humbur të gjithë anëtarët e familjes të martën e 26 nëntorit do të përfitojnë po 100 mijë lekë në muaj në mënyrë të përhershme.

Kjo nismë është hartuar përmes një akti normativ duke bërë një shtesë në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Projektligji është hartuar si akt normativ me fuqinë e ligjit i cili do të miratohet nesër (të enjten) në seancë plenare në zbatim të detyrimeve që rrjedhin për marrjen e masave të emergjencës për shkak të “fatkeqësisë natyrore”, të shpallur në qarqet Durrës, Lezhë dhe Tiranë.

Referuar relacionit të projektligjit, “Pensionistët, që kanë humbur pjesëtarë të familjes si pasojë e fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga tërmeti i datës 26.11.2019, përfitojnë trajtim të veçantë financiar deri në masën e tetëfishit të pensionit social, ndërsa personat, që kanë humbur të gjithë pjesëtarët e familjes, përfitojnë deri në masën e trembëdhjetëfishit të pensionit social.

Pensionistët, që kanë humbur të gjithë pjesëtarët e familjes, përfitojnë vetëm trajtimin në masën e trembëdhjetëfishit të pensionit social.”

Të parët që përfitojnë trajtim financiar në masën e tetëfishit të pensionit social (afërsisht 60 000 lekë në muaj) janë shtetasit që aktualisht përfitojnë pension sipas ligjit në fuqi, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Në kushtet kur këta pensionistë kanë humbur të gjithë pjestarët e familjes, atëherë do të përfitojnë si të gjithë personat e tjerë në këto kushte një trajtim në masën e trembëdhjetëfishit të pensionit social (afërsisht 100 000 lekë në muaj).

Ky përfitim, pra trajtimi i veçantë financiar do të jepet individualisht me vendim të Këshillit të Ministrave. Referuar akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi, si edhe të statusit të Kryeministrit si kryetar i Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, është pikërisht Kryeministri që do të propozojë projektvendimet përkatëse. Komisioni përkatës harton listën e të gjithë të propozuarve që kanë dokumentacionin e saktë dhe vendimi bëhet me propozimin e Kryeministrit.

Me këtë shtesë realizohet qëllimi për t’i dhënë një ndihmë me karakter të përhershëm dhe nuk ngatërrohet me skemën e pensionit duke mos e prekur atë dhe njëkohësisht i lejohet të punojë dhe të kontribuojë për pensionet nga skema e detyrueshme.

Akti normativ është hartuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Ky akt normativ do të ketë efekte në buxhetin e shtetit që mund të llogariten përafërsisht 10 përfitues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë