Futboll

Derbi zjarr në fushë, portierin e Liverpulit e zë gjumi në stol

Nga futbolli anglez mund të presësh gjithçka, zakonisht në sensin pozitiv, duke ditur nivelin e lartë të kampionatit. Por këtë herë kamerat kanë fiksuar një moment delikat për portierin e Liverpulit, Caoimhin Kelleher, i cili është kapur teksa flinte në stol gjatë derbit me Evertonin.

Portieri 21-vjeçar i kampionëve të Anglisë shihet prapa trajnerit Jurgen Klop gjatë derbit spektakolar me Evertonin, që përfundoi në barazim, 2-2. Ishte një lojë spektakolare, e mbushur me emocione dhe tension, që mbajti të mbërthyer para ekranit miliona spektatorë, ndërsa ai ia kishte futur gjumit dhe kritikat janë pa fund drejt tij.

Caoimhin Kelleher është portieri i tretë i Liverpulit, pas Alison dhe Adrian. Tashmë fotoja e tij, me kokën varur në stol, ndërkohë që ndeshja në fushë është zjarr, po bën xhiron e botës. Interesant është fakti që Kelleher është ulur pikërisht pas trajnerit Klop, të cilin me siguri e ka mërzitur jo pak ky gjest. Në rrjetet sociale kanë vërshuar kritikat për lidhjen e djaloshit të ri me skuadrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë