Futboll

Derbi si bonus për kreun, Partizani dhe Tirana përballen për herë të parë këtë sezon

Gazeta Si – Erdhi momenti i derbit të parë sezonal mes Partizanit dhe Tiranës. Dy skuadrat kryeqytetase ndeshen sot në ‘Air Albania’, ora 19:00, për llogari të javës së 6-të të kampionatit.

Ndeshja e shtyrë është si një bonus, që si të kuqtë, ashtu edhe bardheblutë, mund ta shfrytëzojnë për t’iu afruar kreut. Nëse Partizani merr 3 pikët, e parakalon Tiranën, ndërkohë që ka edhe një ndeshje tjetër të prapambetur, atë me Teutën nga java e parë. Nëse fiton Tirana, kalon Laçin e vendit të dytë dhe barazohet me pikë me Egnatian kryesuese.

E veçanta është se dy skuadrat vijnë në këtë derbi pa… trajnerë. Partizani është në kërkim të timonierit të ri pas largimit me konsensus të Zoran Zekiç. Mes kandidatëve është edhe Orges Shehi, i pezulluar nga Tirana pak kohë më parë. Drejtimin e Tiranës e ka marrë përkohësisht Julian Ahmataj, me të cilin bardheblutë fituan ndaj Vllaznisë.

Tirana do të luajë sot me treshen Latifi-Abazaj-Hsani në sulm, ndërsa te Partizanit i besojnë formës së mirë që po kalon sulmuesi Bintsouka. Interesimi për derbin është shumë i madh nga ana e tifozëve dhe pritet spektakël jo vetëm në tapetin e gjelbër, por edhe në shkallët e ‘Air Albanias’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë