Futboll

Derbi ndryshe, Partizani në rolin e sfidantit dhe rekord tifozësh

Tirana dhe Partizani luajnë sot në orën 19:00, në "Air Albania Stadium" derbin e tretë sezonal për llogari të javës së 24-t të Superiores. Gjashtë pikë është diferenca mes tyre në tabelën e klasifikimit dhe ndryshe nga sa ka ndodhur në sezonet e fundit, në rolin e sfidantit është Partizani. Të kuqtë kanë shansin të rifuten në garën e titullit me një fitore të mundshme, në të kundërt mund të thuhet se e “dorëzojnë” që tani kurorën e kampionit.

Bardhi dhe Muça në një dyluftim gjatë derbit të fundit. Gazeta Si, 28 shkurt 2020

Tirana, që pas uljes në stol të trajnerit Emanuel Egbo pikërisht para derbit të fazës së dytë, ka pasur një ecuri shumë të mirë, me 8 fitore, 1 barazim dhe 0 humbje, ndaj tani kryeson me 44 pikë, kundrejt 38 që ka Partizani. Javën e kaluar bardheblutë mundën me përmbysje Kukësin dhe vijnë në këtë derbi me një gjendje psikologjike mjaft të mirë, aq më tepër që e kanë thyer tashmë edhe tabunë gati 5-vjeçare ndaj Partizanit. Nuk ka mungesa për Tiranën, që forcën e saj e ka te sulmi, ku katërshja Kale, Torasa, Kobinah dhe Ngo po bëjnë mjaft mirë. Sulmi i Tiranës është më i miri i Superiores me 40 gola të shënuar, 9 më shumë se sulmi i Partizanit. Ngo ka shënuar 7 gola, por njeriu i momentit te bardheblutë është Kobinah, autor i 4 golave vendimtarë.

Lorenc Trashi, mungesa e madhe e Partizanit në derbin e sotëm. Gazeta Si, 28 shkurt 2020

Te Partizani situata nuk është ndër më të mirat. Barazimi me Bylisin javën e fundit la një shije të keqe jo vetëm për pikët e humbura. Trajneri Sormani vjen në këtë ndeshje pa Lorenc Trashin, një nga pikat më të forta të skuadrës. Klubi vendosi të rikthejë Esat Malën, që kohët e fundit kishte qenë te Partizani B për shkak të mosmarrëveshjeve për rinovimin e kontratës. Sulmi i kuq, që nuk po bind deri tani, sot do të përbëhet nga Çinari, Bardhi dhe njëri mes Braun dhe Solomon. Partizani sot luan gjithçka për gjithçka, nuk mund ta kënaqë barazimi kur është 6 pikë larg Tiranës së vendit të parë.

Derbi pritet të jetë spektakolar edhe në tribuna, pasi duket se do të ketë një numër rekord tifozësh. Numri i biletave të shitura është mbi 17 mijë, një shifër e lartë kjo për një ndeshje të kampionatit shqiptar. Policia ka hartuar një plan të rreptë masash për të siguruar mbarëvajtjen e kësaj ndeshje, ndërkohë që ka bërë të ditur se nuk do të lejojë tifozë në stadium pa kartë identiteti. Një masë që nuk u ka pëlqyer pjesëtarëve të grupimit “Ultras Guerrils” të Partizanit, që edhe mund ta bojkotojë ndeshjen.

Trajneri Egbo përshëndet tifozët pas fitores në derbin e fundit. Gazeta Si, 28 shkurt 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë