Futboll

Derbi i 1966, kur Partizani dhe Tirana u përjashtuan nga kampionati

Për të përshkruar një ndeshje derbi të kryeqytetit shqiptar nuk është e nevojshme të rihapësh librat e historisë së futbollit. Çdo ndeshje pasqyron, por edhe tregon historinë e vetë kryeqytetit, i ndarë në dy pjesë sipas rivalitetit sportiv. Traditat e dy klubeve, ngjyrat e tyre, gjithmonë e kanë bërë më të bukur atë që rrethon këtë ndeshje.

Në këto 156 përballje, fitoren më të thellë Partizani e ka arritur më 31 gusht 1947 në shifrat 8-0. Tirana u hakmor 38 vjet më vonë, pikërisht më 22 shtator 1985 me rezultatin 7-3. Por përpos këtyre rezultateve, është derbi i 1966, ai që ka hyrë në histori. Një ndeshje jashtë kufijve të normales, që solli përjashtimin e 17 Nëntorit dhe Partizanit nga kampionati i vitit 1967, solli humbjen e titullit për ekipin bardheblu, ku triumfoi Dinamo, kampione që nuk u njoh as nga UEFA e cila nuk lejoi pjesëmarrjen e skuadrës në kupat e Europës.

Me 24 qershor 1966, luhej derbi i Tiranës midis 17 Nëntorit dhe Partizanit. Partizani vinte në këtë takim pa pretendime për titullin, kurse bardheblutë ishin pranë fitimit të titullit të tretë kampion pas Luftës së Dytë Botërore. Deri atë javë renditja ishte kjo: 17 Nëntori 33 pikë, Dinamo 31 kurse Partizani 25, jashtë garës për tu shpall kampion. Një garë e fortë midis bardhebluve dhe ekipit të ministrisë së brendshme. Shorti favorizonte ekipin 17 Nëntorit, e cila do të ndeshej me Tomorin, Lokomotivën dhe Traktorin, që ndodheshin në vendet e fundit të renditjes. Një ndeshje e fortë dhe shumë e luftuar, ku në fund triumfoi 17 Nëntori me rezultatin 2-1. Dinamo, nuk shkoi më shumë se një barazim në Shkodër, duke mbetur tri pikë larg Tiranës. Me këtë rezultat, shpresat për titull veniteshin.

Pikërisht në këtë moment, hyjnë në skenë strukturat shtetërore. Më 27 qershor 1967, Komiteti Shtetëror i Sporteve merr vendimin drastik për të përjashtuar skuadrat e 17 Nëntori dhe Partizani, për shfaqje të theksuara antisportive. Një vendim i çuditshëm, pasi gjatë ndeshjes, gjyqtari nuk kishte përjashtuar asnjë futbollist me karton të kuq.

Por çfarë kishte ndodhur?

Në përfundim të ndeshjes, në momentin që ekipet po bëheshin gati për t'u futur në dhomat e zhveshjes, dy lojtarët Osman Mema i Tiranës dhe Agim Dizdari i Partizanit, konfliktohen ashpër me njëri-tjetrin. U desh ndërhyrja e lojtarëve të tjerë nga të dyja ekipet, por edhe e trajnerit Refik Resmja, për të evituar përkeqësimin e situatës. Ngjarja u dramatizua aq shumë, sa Mema rrezikoi të burgosej. Ky vendim i rëndë erdhi edhe për faktin, që atë ditë, në stadium për të parë ndeshjen, ndodhej edhe një delegacion i ushtrisë kineze.

Qëllimi u arrit: Duke përjashtuar Tiranën dhe Partizanin, kampion shpallej Dinamo. UEFA nuk pranoi që Dinamo të përfaqësojë Shqipërinë në Europë. Drejtuesit evropianë vendosën që të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë ta ketë 17 Nëntori. Të gjendur në këtë situatë, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi të mos marrë pjesë fare. Përpos kërkesave të shumta për rikthimin e titullit te Tirana, asgjë nuk është realizuar. Fakt është që shifrat dhe statistikat janë shpeshherë për arkiva, sepse kur luan Tirana me Partizanin gjithçka nis nga 0-0.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë