Futboll

Derbi i parë sezonal, dilemat dhe zgjedhjet e dy trajnerëve

Në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania” luhet sot derbi i parë sezonal, ku Tirana dhe Partizani vijnë në gjendje të ndryshme. Të kuqtë janë më lart në klasifikim, 6 pikë para kampionëve në fuqi, një diferencë e madhe në vetëm 5 javë kampionat. Gjendja psikologjike po ashtu është më e mirë në kampin e kuq pas rezultateve të fundit, por në derbi gjithçka ndodh dhe Tirana e konsideron pikën e kthesës. Mungesa e madhe janë tifozët.

Si do të rreshtohen sot skuadrat në fushë? Trajnerët Nevil Dede dhe Ilir Daja e kanë në kokë formacionin, me të cilin do të synojnë ta fitojnë derbin, por ka edhe dilemma për ndonjë lojtar të caktuar që vjen nga dëmtimi dhe nuk është në 100% të formës fizike.

Tirana duke bërë nxemjen. Gazeta Si, 4 dhjetor 2020

Te Tirana, dilema e madhe e Dedes është argjentinasi Torasa, një lojtar i rëndësishëm për bardheblutë. Gjasat janë që ai të jetë në fushë nga minuta e parë. Në mbrojtje kthehet Toshevski, ndërsa sulmi i Tiranës do të udhëhiqet nga Muçi, i mbështetur nga Halili dhe afrikani Danso.

Formacioni i mundshëm i Tiranës (4-2-3-1)
Bekaj
Toshevski Najdovski Hoxhallari Ismailgeci
Batha Giamfi
Halili Torasa Danso
Muçi

Partizani, duke festuar një gol. Gazeta Si, 4 dhjetor 2020

Te Partizani trajneri Ilir Daja i ka gjërat më të qarta. Ai vetë në konferencë shtypi u shpreh se nuk do të rrezikojë me Asanin dhe Melon, duke lënë të kuptohet se ata nuk do të jenë titullarë, pasi vijnë nga dëmtimet. Në pjesën e dytë mund të ketë minuta edhe për këta dy lojtarë. Mbrojtja e kuqe është e konsoliduar tashmë me Belicën, Bitrin, Idrizajn dhe Hakajn. Kristi Kote ka fituar besimin e Dajës në mesfushë. Në majë të sulmit të Partizanit do të jetë Kardozo dhe pas tij Solomon, Bardhi dhe Mala.

Formacioni i mundshëm i Partizanit (4-2-3-1)
Hoxha
Idrizaj Belica Bitri Hakaj
Kote Broja
Mala Bardhi Solomon
Kardozo


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë