Futboll

Derbi i 226-të i Milanos ose derbi i… “Covid-19”

Një rivalitet i hidhur, shekullor, në një nga arenat me të mëdha të lojës, në një kryeqytet tradicional futbolli është ajo çka do te ofrohet, kur Inter e Milan do të ndeshen në stadiumin e tyre të përbashkët. Me më tepër se 50 trofe ndërkombëtarë dhe kombëtare së bashku, të dy klubet mund te thonë me plot gojën se ata përfaqësojnë qytetin me të suksesshëm të Europës, në mos të botes, në futboll. Sigurisht që derbi që do të luhet këtë të shtunë në orën 18:00, nuk do të jetë një derbi si gjithë të tjerët, pasi në stadiumin San Siro do të mungojnë 80 mijë spektatorët që i japin emocionin dhe spektaklin kësaj sfide, por sërish emri i skuadrave që do zbresin në fushën e lojës flet vetë.

Nga ana tjetër, pandemia ka ndikuar në mënyrë të dukshme, pasi shumë futbollistë do të mungojnë në fushë. Te Inter, edhe pse gjashtë lojtarë janë të infektuar me koronavirus, mungesat nuk i komplikojnë shumë planet e Antonio Conte. Interi ka humbur vetëm dy titullarë, mbrojtësin Alessandro Bastoni dhe mesfushorin Ashley Young, që pritej të luante nga e majta. Anglezi do të zëvendësohet nga një zgjedhje e parë, si Ivan Perisic, ndërsa problemi kryesor lidhet me Bastonin, që ka si zëvendësues Kolarov, i cili nuk përshtatet si duhet në mbrojtjen me tre lojtarë. Për sa i takon Skriniar, Radja Nainggolan, Gagliardini apo Radu, asnjëri prej tyre nuk parashikoheshin si titullarë, ndërsa në dyshim është edhe prezenca e Alexis Sanchez, i dëmtuar me Kilin. Milan mund të bazohet te Zlatan Ibrahimovic, që pas karantinës e kaloi plotësisht koronavirusin. I gatshëm do të jetë edhe kapiteni Alessio Romagnoli, ndërsa mungesë e rëndësishme është ajo e Ante Rebic, i cili nuk është rikuperuar në kohë. Mungesat në mbrojtje detyrojnë trajnerin Te kuqezinjtë vazhdojnë të jenë të infektuar Gabia dhe Duarte.

Në plan të parë të derbit do të jenë dy sulmuesit që janë shumë të ngjashëm si në fizik ashtu dhe në lojë, thjeshtë kanë një diferencë shumë të madhe në moshë, Lukaku 27 ndërsa Ibra 39. Simbolet dhe njerëzit kryesorë të Interit dhe Milanit, përballë njëri-tjetrit në derbin e Madoninës. Tre gola në këtë fillim të sezonit për qendërsulmuesin belg, i cili mbylli sezonin e tij të parë me 23 gola, një mesatare prej 0,67 gola për ndeshje, sezoni i tij më i mirë në karrierë. Edhe këtë sezon e ka nisur me këmbën e mbarë, me Inter dhe përfaqësuesen e Belgjikës, pasi ka shënuar 6 gola në 5 ndeshje.

Mbresëlënës edhe suedezi, i cili arriti në janar te kuqezinjtë për të ringjallur ambiciet e tyre. Ai u ndal vetëm nga Covid-19, por sërish edhe këtë sezon vërtetoi se mosha është thjeshtë një numër për të. 2 gola ka shënuar suedezi, një më pak se Lukaku. Dhe një e kaluar e përbashkët që, jo shumë kohë më parë, i pa ata të ndanin të njëjtën dhomë zhveshjeje: atë të Manchester United. Sot tifozët kanë një arsye më shumë për të ndjekur derbin, një sfidë brenda sfidës është edhe ajo Lukaku-Ibrahimovic.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë