Futboll

Derbi/ Dy të infektuar të tjerë tek Interi, Ibrahimoviç sërish pozitiv

Dy lojtarë të tjerë i janë shtuar listës së atyre që kanë dalë pozitivë tek Interi pak ditë para derbit me Milanit. Pas Bastonit dhe Shkriniarit, edhe Naingolan e Galiardini kanë rezultuar pozitivë në testin e Covid-19. Një situatë që shqetëson shumë trajnerin Konte. Shkriniar është asintomatik dhe rrezikon ta kalojë periudhën e karantinës në Sllovaki, ku ndodhet aktualisht, në pritje të tamponit të dytë.

“Lojtari është në karantinë individuale, pasi ka bërë testet. Ndihet mirë, nuk ka sintoma dhe do të bëjë dhe një tjetër test së shpejti”, - ka bërë me dije zyra e shtypit të kombëtares sllovake. Në çdo rast, për Shkriniar, Naingolan, Galiardini dhe Bastoni duket e sigurt mungesa në derbin me Milanin më 17 tetor, si dhe në ndeshjen e parë në grup të Ligës së Kampionëve ndaj Borusia Mënshengladbah.

Ky është një problem për Konten, i cili gjendet me dy lojtarë me pak në mesfushë dhe me një mbrojtje të përgjysmuar, ku për qendrën ka të gatshëm vetëm De Vrij dhe Ranokian. D'Ambrozio dhe Kolarov mendohet të jenë zëvendësuesit e Shkriniarit dhe Bastonit. Gjithçka ndodh në një javë, ku ndeshjet e kombëtareve kanë përgjysmuar grupin në Pinetina dhe Konte shpreson që në ditët në vazhdim të mos ketë të infektuar të tjerë.

Zllatan Ibrahimoviç. Gazeta Si, 9 tetor 2020

Shqetësuese është situata edhe te Milani, që po e përgatit derbin pa lojtarët e grumbulluar me ekipet e tyre kombëtare dhe me disa dilema për formacionin. Trajneri Stefano Pioli mund të buzëqeshë për rikthimin e kapitenit Romanjoli, por Zllatan Ibrahimoviç ka dalë sërish pozitiv, ashtu si dhe Leo Duarte.

Stafi teknik i Milanit shpreson që të rikuperojë në kohë kroatin Ante Rebiç, pas dëmtimit në shpatull që ai pësoi në Krotone. Javën e ardhshme sulmuesi do të kryejë një kontroll të detajuar për të kuptuar, nëse Pioli mund të ketë në dispozicion për derbin e 17 tetorit apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë