Lajme

Deputeti nga Kosova letër Veliajt: Më gënjeve për pronën, tani më shantazhon

Si një biznesmen dhe politikan në Kosovë, deputeti Ramiz Kelmendi është angazhuar prej vitesh në kërkesën për përafrim të legjislacionit mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe heqjen e të tjera barrierave që pengojnë ngritjen një tregu të përbashkët shqiptar, që mendon se do të ishte më konkurrues në rajon dhe do t’u ofronte në radhë të parë vetë shqiptarëve shërbime e produkte më cilësore dhe me çmime më të lira.

Në frymën e kësaj ideje ai thotë se vendosi që të investonte në Tiranë tre vite më parë. Investimi kishte të bënte më ngritjen e një qendre tregtare në kryeqytetin shqiptar për të ofruar produktet e kompanisë së tij “Elkos Group”.

Për këtë, Ramiz Kelmendi pretendon se kur bleu truallin u konsultua me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për të mësuar nëse zhvillimi si biznes privat në këtë truall binte ndesh me interesin publik dhe planet e bashkisë.

“Kërkova mendim profesional rreth blerjes së prones për ndërtimin e ETC-së. Në pyetjen time se a ka ndonjë kontest, interes publik për parcellën në fjalë, të gjitha përgjigjet nga ana juaj ishin në favor dhe në mbështetje të ketij projekti”, shkruan ai përmes një letre publike drejtuar kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Më tej, Kelmendi kujton se në atë kohë ishte deputet i Kosovës, se nuk priste trajtim të veçantë, por të paktën mbajtjen e fjalës. Ai thotë se është zvarritur deri në marrjen e lejes për ndërtim, pasi thotë se menjëherë sapo ka nisur nga puna për ngritjen e qendrës tregtare, punimet janë bllokuar nga inspektorët e bashkisë.

“Çështja u prolongua në dhënjen e lejës dhe u detyrova të vij tek ju sërish në takimin e radhës 15 muaj pas takimit të parë. Gëzova sërish të njejtën mbështetje verbale nga ju sikur edhe në takimin e parë. Në këtë periudhë të takimit tonë të dytë isha zv/Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe sërish u trajtova si një qytetarë i thjeshtë. Nuk e kisha brengosje as kësaj radhe. Pas shumë pritjesh, pra 3 vite për të zbardhur lejen e ndërtimit (pritje e gjatë apo e shkurtër le të vendosni ju dhe opinion), në nëntor të vitit 2018, zbardhët dokumentin për pagesën e taksës së ndërtimit dhe infrastrukturës që ishte në vlerë prej 1 milion e 680 mijë euro. Kjo shumë u pagua nga ana jonë dhe ishim duke pritur zbardhjen formularit, që sipas ligjit duhej të zbardhej në afatin prej 5 ditësh. Kaluan ditët, afatet dhe pas tre muajve edhe pse hyri në fuqi me bazë ligjore, ne me instruksion të institucioneve ligjore filluam informimin me shkrim procedural tek të gjitha organet e nevojshme për fillimin e rrethimin dhe parapërgatitjet për vendosjen e gurëthemelit në të cilin do merrnit pjesë edhe ju si kryebashkiak, për gëzimin që investimin po e bën investitori nga Kosova”, vijon letra.

Por, këtu është shfaqur një tjetër pengesë.

“Erdhën në punishte inspektorët tuaj pa asnjë vendim për të pezulluar punët dhe për të rrënuar rrethojat në orët e vona të së shtunës, duke dashur të friksojnë kompaninë ndërtuese. Nuk e di dhe mbetem i befasuar përse ndodhi kjo”, vijon letra.

Biznesmeni kosovar thotë se tani i kërkohet që pronën në fjalë t’ja falë bashkisë.

“Absurde! Me keqardhje po ju theksoj se detyrimi juaj që ne t’i japim Bashkisë dhuratë me shantazhim, pronën në vlerë prej mbi 5 milion eurosh tregon një çmenduri rinore. Bile na u tha se po që se nuk e japim pronën në këtë mënyrë, ne nuk do të ndërtojmë kurrë objektin e cekur”, denoncon Kelmendi.

Në fund, ai i bën thirrje kryebashkiakut të Tiranës që “të heqë dorë nga këto aventura, që dëmtojnë rëndë imazhin e të dyja palëve dhe ndikojnë negativisht në politikat vendore për investitorët nga Kosova”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë