Politike

Deputeti i PS, Manja: Në qershor plotësohet Gjykata Kushtetuese

Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja ka deklaruar se brenda muajit qershor do të bëhet i mundur funksionimi i Gjykatës Kushtetuese. Deputeti socialist tha se për të mbërritur te plotësimi i saj, duhet të kalojnë disa nisma ligjore.

“Është e lehtë ta bësh kritikën sot e Reformës në Drejtësi, aq më tepër kur fut hundët edhe politika që nuk merret me detyrat, por targeton Reformën në Drejtësi dhe sistemin e Drejtësisë, pastaj është e vështirë të sqarohen gjërat për opinionin publik. Kur thashë që një reformë kaq e madhe do të kishte edhe probleme, vështirësi që ishin qoftë të karakterit politik, por edhe teknik, - u shpreh Manja në emisionin “Tempora”. - Jemi pa Gjykatë Kushtetuese, në kuptimin e mosfunksionimit të mbledhjes plenare. Gjykata Kushtetuese, ne besojmë dhe shpresojmë që brenda qershorit, do të funksionojë. Sot që flasim Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka miratuar të gjitha aktet nënligjore sa i përket rregullores së funksionimit të emërimeve në drejtësi”.

Manja shtoi se falë mekanizmave ligjore, Gjykata Kushtetuese do të plotësohet me numrin e nevojshëm të anëtarëve pikërisht brenda qershorit.

Prej disa muajsh, tashmë Gjykata Kushtetuese është në kushtet e mos-ekzistencës, ku për shkak të procesit të Vettingut dhe dorëheqjeve, ka mbetur vetëm me një anëtar, edhe pse Kuvendi ka shpallur listën me 9 kandidatë për plotësimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë