Politike

I përjashtuari nga Rama: Policia e korruptuar, do të tregoj emra

Gjetan Gjetani u qëndron akuzave të bëra ndaj strukturave vendore të Policisë së Shtetit në rrethin e Kurbinit dhe këmbëngul se ato nuk janë nisur nga oreksi për të vendosur dhe punësuar njerëz të tij përmes shantazhit, ashtu sikundër e paraqiti Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS-së ditën e premte vendimin për ta përjashtuar.

“Nga ana ime kam ndërhyrë për administratën, por jo në aspektin që foli Kryeministri. Kam kërkuar që në Kurbin të ketë një administratë profesioniste dhe me integritet për t’u shërbyer qytetarëve. Nuk kam ndërhyrë për të punësuar asnjë. Kjo ka qenë ndërhyrja e ime tek titullarët e institucioneve”, deklaron ai.

Deputeti i përjashtuar nga strukturat e Partisë Socialiste thotë se në deklaratën e bërë përmes rrjeteve sociale është nxitur nga shqetësimet që i kanë ngritur qytetarët në takimet e shumta që ka pasur me ta. Deklaron se shqetësimet më të shumta kohët e fundit i ka marrë për sigurinë dhe rendin publik.

Postimi që e përjashtoi Gjetan Gjetanin nga PS

“Në takime me qytetarët ata më shprehin shqetësimet rreth shërbimeve në Kurbin dhe kam ankesa të shumta për mënyrën sesi shërbehet në zyrat e pushtetit vendor e qëndror. Rasti i fundit që reagova ishte problemi i rendit dhe sigurisë publke. Kjo më shqetëson mua dhe të gjithë qytetarët e Kurbinit. Ankesat më të shumta i kam pas për rendin dhe sigurinë publike. Kam pas ankesa për Komisariatin e Kurbinit dhe i qëndroj deklaratës në rrjetet sociale. Kam kërkuar që në polici të jenë njerëz të aftë, profesionistë dhe me integritet, jo të korruptuar, por të sigurojnë rendin”, shton ai më tej.

Për të ilustruar akuzat e tij sjell si shembuj disa vepra penale, duke nisur që nga grabitja e bankës në dhjetor të vitit të kaluar e deri tek dy vrasjet, shpërthimi me tritol dhe kërcënimi i gazetarit të ndodhura në ditët e fundit.

“Asnjë prej këtyre veprave nuk është zbuluar. Dy vrasje, një shpërthim dhe një kërcënim me armë ndaj një gazetari. Mua më shqetëson fakti që policia nuk merr asnjë masë. Në rastin e gazetarit i dërguam mesazh shefit të komisariatit dhe i kërkuam ndihmë dhe nga ana e tij na kthehet përgjigja “jam me leje”. Është e pranueshme kjo?!”, deklaron deputeti i Kuvendit të Shqipërisë.

Për të, strukturat vendore të Policisë së Shtetit në Kurbin janë të korruptuara dhe të paafta.

“Më shqetëson fakti që qytetarët e thjeshtë në Kurbin u dridhen këmbët për t’u ankuar në komisariat. O priten me arrogancë, ose nuk përfillen fare nga drejtuesit e komisariatit dhe më lartë. Është fakt që oficerët e policisë, inspektorët, pjesa më e madhe më shumë janë të interesuar për të vendosur dhe krijuar kontakte me biznesmenë sesa për të pritur dhe pasur kontakte me qytetarët e thjeshtë”, thotë Gjetani.

Ai paralajmëron se së shpejti mund të ketë biznesmenë lokalë që mund të bëjnë publike aferat korruptive të drejtuesve të policisë në këtë komisariat.

“Është një subjekt tregtar këtu, një biznesmen që vetëm pak ditë më parë u thirr nga policia dhe iu kërkua që të takohej me inspektorët e policisë. Nuk është çudi që së shpejti ai subjekt ta publikojë këtë fakt”, deklaron ish-deputeti socialist.

Deputeti thotë se shqetësimet e tij i ka ngritur prej kohësh tek forumet dhe strukturat e Partisë Socialiste, madje deri tek ministri i Brendshëm, të cilit shton se do t’ja përsërisë akuzat në interpelancë që ka kërkuar me të.

“Brenda këtij muaji do të kërkoj interpelancë me ministrin do t’ja përmend të gjitha atij, me emra dhe raste konkrete dhe jo raste të përgjithshme siç kam bërë në rrjetet sociale”, deklaron ai.

Tashmë ish-deputet i Partisë Socialiste, Gjetan Gjetani shprehet se askush nuk mund ta largojë nga bindjet e tij si socialist.

“Ai (Edi Rama) mund të më largojë si anëtar, apo të më heqë teseren, por jo dëshirën për të qenë socialist. Nuk u bëra sot anëtar i PS, nuk u bëra anëtar kur PS ishtë në pushtet. Unë kam vite që jam anëtar i PS dhe jam e do të mbetem socialist”, thotë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë