Politike

Deputeti Gjoni: Nuk votoj për shkarkimin e Metës

Një nga tre deputetët që u bënë pjesë e Parlamentit ditën e sotme ishte dhe Ralf Gjoni. I dalë nga listat e LSI, Gjoni duke folur për mediet në dalje të sallës plenare, u shpreh se pranoi mandatin për të përfaqësuar të gjithë ata qytetarë që deri më tani nuk kanë qenë të përfaqësuar në këtë institucion. Duke iu përgjigjur akuzave për një tradhti të mundshme ndaj partisë së tij LSI, Gjoni tha se tradhtinë e kanë bërë ata që u larguan nga Parlamenti dhe jo ai.

“Unë kam vendosur të pranoj mandatin për të gjithë ata njerëz që nuk janë të përfaqësuar në këtë institucion. Tradhti është një fjalë shumë e madhe. Është një fjalë e përdhunuar në 80 vitet e fundit sidomos gjatë sistemit komunist. Ata që kanë tradhtuar janë ata që braktisën parlamentin, këtë e ka thënë në raportin e tij edhe Uashingtoni. Nuk e kuptoj se çfarë kam tradhtuar, kur unë vetëm kam plotësuar vakancen në listën e kandidatëve për deputet. Nuk ka asnjë shans që emri im të asiosohet për prishjen e institucioneve. Ju e mbani mend që unë kam qenë gjithmonë pro parlamentit edhe në 21 janar të vitit 2011.”
Ndërsa për çështjen e nxehtë të një shkarkimi të mundshëm të presidentit Ilir Meta, Gjoni ishte shumë i prerë. Ai tha se nuk do të votojë për shkarkimin e kreut të shtetit në asnjë moment, por se do të punojë që vendi të realizojë një reformë totale zgjedhore.

“Së pari unë kam aderuar në LSI dhe nga angazhimi im në këtë parti kam veç dashuri dhe miqësi, sepse është një periudhë e bukur e jetës sime. Kjo është një gjë që unë nuk kam pse ta fsheh. Unë ta them qartazi që tani që unë për shkarkimin e Metës nuk do e votoja, sidomos në këtë gjendje. Vendi ka nevojë për një reformë zgjedhore dhe një sistem totalisht ndryshe zgjedhor që duhet të ndryshojë cilësinë e përfaqësimit të qytetarëve. Sistemi aktual është shkatërrimtar, siç duket nga listat që u prodhuan, që kanë një cilësi skandaloze të deputetëve edhe të atyre që e kanë lënë mandatin. Ka kohë që ka mbaruar sistemi që partitë vendosin për vullnetin e deputetëve, këtë gjë e thotë shumë qartë edhe Kushtetuta. Unë kam qenë kundër ndryshimeve të vitit 2008.”

Në prononcimin e tij para gazetarëve, Ralf Gjoni ka folur edhe për situatën brenda LSI dhe pozicionin e tij në këtë parti. Deputeti më i ri i Kuvendit nuk i ka kursyer kritikat për lidershipin e kësaj partie dhe thumbimet për kryetaren Monika Kryemadhi. “Në asnjë mënyrë që jo. Unë jam anëtar i LSI, jam anëtar i KDK së LSI. Nuk jam njoftuar për një përjashtim, di vetëm që është lakuar në medie. Unë nuk jam në dijeni të një mbledhje të KDK dhe ftoj LSI që ta mbledhë këtë komision, të votohet për përjashtimin tim dhe të shohim se si do të ndodhë. Nuk bëj veprime për hakmarrje, nuk shoh arsye pse duhet të bëj hakmarrje. Thjesht ajo parti është kapur nga një marrëzi momentale e lidershipit aktual. Unë këtë lidership nuk e kam mbështetur ndonjëherë. Unë gjithmonë kam qenë dhe jam për integrimin dhe jo për disintegrimin, jam kundër çizmes dhe fenomeneve të tilla.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë