Lajme

Deputeti gjerman në Tiranë: Dialogu zgjidh çdo vështirësi

Deputeti i Bundestagut gjerman, Tobias Gottardt, i cili ndodhet për një vizitë në Tiranë, ka vlerësuar hapat e bëra nga Shqipëria në reformën në drejtësi.

Pas takimit me anëtarët e Komisionit të Jashtëm në kuadër të forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, ai ka bërë një koment indirekt edhe për opozitën në lidhje me situatën politike në vend.  

"Progresi për hapat që janë ndërmarrë është vërtetë i dukshëm. Nuk besoj se më takon mua si i huaj që të vij në Shqipëri që të jap komente mbi situatën politike që ju e njihni më mirë. Si një europian i bindur jam këtu për të mbështetur çdo hap të Shqipërisë në anëtarësimin në BE. Ata që duan demokracinë janë pro dialogut, - u shpreh Gottardt.- Pavarësisht vendit nga i cili vijmë, mesazhi i përbashkët është: Të gjitha vështirësitë dhe risqet që na shfaqen duhet të bashkëpunojmë bashkë”, tha Gottardt duke iu referuar situatës aktuale në Shqipëri dhe vendimin e opozitës për të djegur mandatet.

Ndërkohë që gjatë kësaj konference kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli ka shprehur keqardhje për vendimin e opozitës për djegien e mandateve.

“Rezultatet kanë ardhur dhe pritet akoma të vijnë. Më vjen keq që vendimi ekstrem e vë në ngërç jetën tonë parlamentare. Jemi këtu të gatshëm t’ia zgjasim dorë opozitës për t’i dhënë po dialogut”, tha Kodheli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë