Politike

Sa shqiptarë jemi? Të dhënat e Censit më 28 qershor. INSTAT: Në asnjë vend nuk numërohet e gjithë popullsia… Kontestojnë deputetët

Nga Gazeta 'SI' - Drejtuesja e INSTAT, Elsa Dhuli raportoi shkurtimisht sot para komisionit të Ekonomisë aktivitetin e institucionit gjatë gjithë 2023-shit. Në fjalën e saj, Dhuli tha se data e publikimit të të dhënave paraprake të CENS-it do të publikohen më 28 qershor 2024 e jo 19, siç ishte parashikuar.

“INSTAT do t’i bëjë publike rezultatet kryesore të censit të popullsisë dhe banesave më 28 qershor 2024 dhe të dhënat e detajuara do të publikohen në tetor të vitit 2024”, tha Elsa Dhuli, drejtoresha e INSTAT në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë dhe Financat.

Prezantimi i saj u shoqërua me shumë rezerva nga deputetët, sidomos për procesin e Censusit.

Edmond Spaho, deputet i PD-së, i tregoi drejtoreshës së INSTAT se numëruesit e CENS-it i kanë trokitur dy herë në derë duke i thënë se “po bëhet riregjistrim sepse numri i qytetarëve ka dalë shumë i ulët”. Spaho tha se vonesa e publikimit i jep të drejtë atij të mendojë që INSTAT nuk do të bëjë publike të dhënat e zymta të popullsisë si edhe mund të ndërhyjë tek ato.

“Pse është shtyrë Cens-i, ka pretendime që numri i shqiptarëve është nën 1.7 mln banorë dhe kjo është arsyeja pse është shtyrë censi? Cens-in këtë herë e keni bërë online dhe të dhënat duhet të dilnin në një kohë rekord, edhe KE ju ka kërkuar të publikoni të dhënat në kohë. Ju nuk e zbatuat dhe vazhdoni ta shtyni publikimin e të dhënave. Më kanë ardhur anketues dy herë në shtëpinë time, dhe më thanë që ju kanë dalë të dhënat e ulëta dhe po bëjnë ri-regjistrim”, tha Spaho.

Deputetja e PD-së, Sonila Koti, i tha Dhulit se mungesa e të dhënave të INSTAT ka krijuar ngërç për shqyrtimin e minimumit jetik. Duke treguar raste konkrete, deputetja Koti ngriti shqetësimin se ka shumë qytetarë që nuk janë regjistruar fare gjatë CENS-it. Ajo e pyeti Dhulin se pse nga 8 rekomandime që ka dhënë Kuvendi, INSTAT ka përmbushur vetëm 2.

Për deputetin Arbi Agalliu, shqetësim ishte vonesa në të dhënat e CENSIT. “Kanë kaluar 8 muaj dhe akoma nuk kemi një përgjigje të saktë. Kur bëheshin fizikisht të dhënat e para dilnin për 2 muaj, tani janë kryer në formë digjitale dhe prisni të dilni në tetor”, u shpreh Agalliu.

Drejtoresha Dhuli mori fjalën e saj duke treguar se anketimi i të gjithë popullsisë është i pamundur dhe se në çdo vend ka përqindje pambulimi në CENS. Sipas saj, ka disa familje që nuk janë përgjigjur punonjësve të CENS-it, edhe pse kanë shkuar 3-4 herë. 

"Ishte rast i paprecedentë. Ne bashkëpunuam me AKSHI-n dhe kemi filluar punën për ringritjen e sistemeve. Ne patëm një periudhë pauze. Nga 40 kompjuter të infektuar, 6 u dëmtuan. Databaza nuk u prek", u shpreh drejtuesja e INSTAT.

Ndër të tjera ajo tha se shumë shpejt do të nisë edhe CENS-i i Bujqësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë